×
  • Lajme
  • Lajme / Çështja e dinarit

    Bislimi: Rregullorja e BQK-së s’është pjesë e dialogut, Serbia të vazhdojë mbështetjen financiare për serbët e Kosovës

    Reporteri
    05 Mars 2024 | 13:59

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur sot në takimin emisarin evropian, Mirsolav Lajçak me të cilin kanë biseduar mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Bislimi ka ritheksuar se marrëveshje duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë e të barabartë mes palëve. Tutje Bislimi ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj.

    Poashtu, Bislimi në këtë takim ka vlerësuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të padrejta dhe i kërkoi emisarit Lajçak që ato të hiqen.

    “Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në takim u bisedua mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes. Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre. Më tej, në lidhje me rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, u sqarua dhe nga emisari Lajçak që anёtarёsimi i Kosovёs nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Sa i përket rregullores së BQK-së, Bislimi ka sqaruar se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, derisa i siguroi Lajçakut që Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale.

    Poashtu, në njoftimin e Qeverisë u tha se Bislimi dhe Lajçak folën edhe për çështje të tjera lidhura me procesin e dialogut, si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë.

    “Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”

    Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM. Zëvendëskryeministri Bislimi adresoi dhe çështjen e pasaportave ilegale KU, e mbi të cilën nënvizoi se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut.

    Në përfundim, ai e njoftoi emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr Qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe përmendi raportin më të fundit të UNDP-së i cili konstatoi rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3% dhe 33.8% sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6%”.

    Në anën tjetër, emisari evropian tha sot para gazetarëve se do të thërrasë edhe një takim në Bruksel që do të jetë në nivel kryenegociatosësh, për për çka tha se ndërlidhet edhe vizita e tij në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kemi diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti për normalizim, i cili është bërë një vit që kur e kemi adoptuar dhe duam të shohim përparim në këtë drejtim. Kjo është një nga çështjet për të cilën kemi diskutuar. Dhe çështja e dytë që është po ashtu e rëndësishme dhe për të cilën diskutuam është rregullorja e BQK-së për pagesat me para të gatshme”, tha mes tjerash Lajçak. /Reporteri.net/

    Lajçak: Me Bislimin diskutuam zbatimin e marrëveshjeve dhe çështjen e dinarit, në ditët në vijim takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!