×
  • Lajme
  • Lajme

    “Guxim politik”, ambasadori britanik mirëpret vendimin e Qeverisë për tokat e Manastirit të Deçanit

    Reporteri
    13 Mars 2024 | 17:16

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një reagim në platformën “X”, Hargreaves ka thënë se ky vendim i Qeverisë së Kosovës dëshmon guximin politik dhe përkushtimin e saj për sundimin e ligjit.

    “E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, i cili dëshmon guximin politik dhe përkushtimin e saj për sundimin e ligjit”, ka shkruar ambasadori britanik në “X”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë bëri të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas aktgjykimit të vitit 2016, të Gjykatës Kushtetuese.

    Kreu i ekzekutivit në Mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.

    “Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë se nga shumë kushte që kemi pasur për anëtarësim në Këshill të Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo urgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it që duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje, me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

    “Sot i kemi thënë Agjensionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja Donika Gërvalla i ka kërkuar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, kah mesi i prillit Asambledhja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit, Këshilli i ministrave në Këshillin e Evropës që vendos për anëtarësimin tonë”, njoftoi kryeministri Kurti./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!