×
  • Lajme
  • Lajme

    Shteti kosovar zotohet: Nuk do ta lejojmë Vuciqin të vijë në Kosovë gjatë zgjedhjeve

    Reporteri
    01 Shtator 2019 | 18:23

    Mediat serbe raportuan sot se në planet e të parit të shtetit serb, Aleksandar Vuciq, është një vizitë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore.


    Sipas tyre, Vuciq planifikon të shkelë thuajse shumicën e territorit të Kosovës, pasi do të kryente vizita duke nisur nga Mitrovica, Banja e deri në Gracanicë, shkruan Reporteri.net.

    Mirëpo, shteti kosovar shprehet i bindur se një gjë të tillë nuk do ta lejojë të ndodhë pikërisht në kohën më të ndjeshme për Kosovën.

    Sipas Jetlir Zyberajt, shefit të kabintetit të ministrit të Jashtëm në dorëheqje Behgjet Pacolli, deklarimet e Vuciq se dëshiron të vijë në Kosovë është një provokim dhe frikësim i serbëve.

    “Deklarata e presidentit serb Vuçiq së dëshiron të vij në Kosovë para zgjedhjeve është një provokim dhe frikësim i serbëve të Kosovës dhe nuk mundëson fushatë zgjedhore dhe votim të drejtë tek komuniteti serb. Agjenda e Beogradit dihet”, ka thënë Zyberaj për Reporteri.net.

    Ai shprehet i bindur se Ministria që udhëheqin ata, në juridiksionin e të cilës është dhënia e lejes për vizitë, nuk do ta lejojë një vizitë të tillë.

    “Ne nuk do të lejojmë që ky skenar i Beogradit të ndikojë në procesin zgjedhor të Kosovës dhe të pengojë qytetarët tanë që të votojnë të lire”, ka shtuar ai.

    Sidoqoftë, Vuciq vizitoi Kosovën muaj më parë, ku nga Liqeni i Ujmanit dha mesazhe të ashpra politike, që bien ndesh edhe me marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë në Berlin por edhe më pas.

    Ndryshe, kohë më parë Vuciq ishte ndaluar të kryente vizita në jug të vendit, pasi qytetarë të shumtë u ngritën në protesta dhe bllokuan të gjitha rrugët./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!