×
  • Lajme
  • Lajme / Kosova drejt zgjedhjeve?

    Oferta e Kurtit për zgjedhje të reja, PDK e LDK thonë se janë gati

    Reporteri
    22 Mars 2024 | 7:32

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sfiduar partitë politike opozitare për zgjedhje të parakohshme.

    Kurti ka deklaruar se partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, është e gatshme për zgjedhje. Ai madje e ka sfiduar opozitën se nëse nuk i ka numrat për ta çuar Kosovën në zgjedhje të reja, mund t’ia bëjë vetë ai, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “A do të ketë zgjedhje para 4-vjetorit të qeverisjes suaj?”, është pyetur Kurti në një intervistë për RTK-në.

    “Kjo është e vetmja pyetje që ma bëtë sonte për opozitën, ata duhet ta thonë fjalën e tyre unë nuk mund te shkoj në zgjedhje pa opozitën, pra, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 ka treguar që për shpërndarje të Kuvendit duhen 2/3 dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje, tha ai.

    “Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja”, u shpreh Kurti. “Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita. Ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”, tha ai. “Gjithmonë gati për zgjedhje”, u shpreh Kurti.

    Reagimet ishin të menjëhershme nga dy partitë opozitare, PDK dhe LDK. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i AAK-së, Lumir Abdixhiku thanë se pranojnë “ofertën” e Kurtit.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ftoi Kurtin që nga dita e premtë  të nisë procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Krasniqi u zotua se nënshkrimet e deputetëve të PDK-së për shpërndarje të Kuvendit janë gati që nesër. I pari i PDK-së, u shpreh se prej vitit të kaluar, PDK në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje.

    “Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam bërë thirrje e të kam pritë me e shpërnda Kuvendin dhe me shku në zgjedhje sa më shpejt. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati! Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetë sadopak ndërgjegje për situatën e vështirë në të cilën e ke sjellë vendin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Krasniqi e pranon ofertën e Kurtit për rrëzim të Qeverisë: Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati

    I menjëhershëm ka qenë reagimi  edhe i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Abixhiku ishte i ftuar në emisionin “Pressing” në T7 në kohë pothuajse të njëjtë me atë të transmetimit të intervistës së Kurtit në RTK.

    Kryetari i LDK-së e ka ftuar Kurtin që të ofrojë dorëheqjen në rast se është dorëzuar nga puna si kryeministër. Ai ka shtuar se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje që nga nata e mbrëmshme.

    “Le ta jap qartë, zëshëm, nëse është dorëzuar e duket se është dorëzuar, le të jap dorëheqje. Pra nëse është dorëzuar le të jap dorëheqje. Por le të ia shpjegoj popullit pse po i lë. LDK-ja nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, ka thënë Abdixhiku.

    “Nëse është dorëzuar, le të jep dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, të bëhet viktimë, të thotë: ‘më rrëzuan’”, u shpreh kryetari i LDK-së. “Le të jap dorëheqje”, përsëriti Abdixhiku.

    Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Nëse je dorëzuar, ofro dorëheqjen

    Ndërkaq, nga AAK-ja e cila vazhdimisht ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti, kanë paralajmëruar për sot një konferencë për media. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!