×
  • Sport
  • Sport

    Trajneri i Çekisë flet për ndeshjen me Kosovën, kështu e vlerëson ai ekipin e Challandes

    Reporteri
    02 Shtator 2019 | 17:37

    Edhe pse e vlerëson si kundërshtare shumë të rrezikshme, trajneri i Republikës së Çekisë, Jaroslav Silhavy, beson se skuadra e tij do t’ia dalë ta përballojë me sukses Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, të shtunën në Prishtinë.


    Çekia e viziton Prishtinën të shtunën më 7 shtator, për t’u përballur me Kombëtaren verdhekaltër në stadiumin Fadil Vokrri, në një duel të drejtpërdrejt për vendin e dytë – të fundit që siguron biletën për EURO 2020 nga Grupi A.

    Silhavy nuk e ka ftuar asnjë futbollist të ri në ekipin e tij kombëtar, përkundër se nuk do të mundë të llogarisë në mesfushorin David Pavelka. Megjithatë, atij i është rikthyer Vladimir Darida pas problemeve shëndetësore.

    Duke folur në një konferencë për media të hënën, Silhavy i lartësoi cilësitë e Kosovës, edhe pse beson se do të arrijë rezultat pozitiv nga vizita në Prishtinë.

    “Kemi rivalë sfidues. Në veçanti, Kosova – e cila është më së afërmi neve në renditjen tabelore – është shumë e rrezikshme. Por, unë besoj se ne do të mundë ta përballojmë këtë ndeshje”, tha Silhavy të hënën në një konferencë për media.

    Silhavy nuk beson se ndeshjet e qershorit do të jenë vendimtare për përcaktimin e fatit të vendit të dytë në grup, me Çekinë e tij që në ndeshjen tjetër përballet me Malin e Zi dhe Kosovën me Anglinë.

    Kosova – e cila përballet me pesë mungesa shumë të mëdha, si Arbër Zeneli, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli – qëndron vetëm një pikë mbrapa Çekisë, e cila mban pozitën e dytë më 6 pikë. Kjo e fundit, megjithatë, ka një ndeshje më shumë të zhvilluar se gjiganti dardan.

    “Këto do të jenë ndeshje të rëndësishme. Nuk mendoj se do të vendosin (fatin e grupit), megjithëse do të tregojnë shumë (për ecurinë në vazhdim), theksoi trajneri i cekeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!