×
  • Lajme
  • Lajme / Strasburg

    Rruga për në KiE, në 14:30 nis mbledhja ku pritet të votohet raporti për Kosovën

    Reporteri
    27 Mars 2024 | 13:44
    Selia e Këshillit të Evropës, në Strasburg. Fotografi nga arkivi.

    Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE.

    Mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të fillojë në ora 14:30.

    Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

    Kosova shpreson që ta ketë anëtarësim të shpejtë në këtë organizatë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Para kësaj mbledhje ka folur presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se shpreson që raporti të miratohet dhe që më pas Asambleja e Përgjithshme ta rekomandojë anëtarësimin.

    Duke folur për gazetarë në Prishtinë, Osmani tha se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

    Teksa ka komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e në të cilën u dha zotimi për zbatim të marrëveshjeve, në të cilat përfshihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka deklaruar se “Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023”.

    Osmani: Asociacioni s’është kusht para anëtarësimit në KiE, përkushtimi për të u përsërit edhe në Marrëveshjen Bazike

    Vendimmarrja e Këshillit të Evropës do të vihet në lëvizje pasi Qeveria e Kosovës i kërkoi Agjencisë Kadas trale t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën afro 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i vendimit që ishte nxjerrë në vitin 2016 përbën një nga kushtet kryesore që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    Kështu tha kryeministri Kurti, në njoftimin e tij ku bëri të ditur se ka kërkuar të zbatohet ky vendim. Për zbatimin e vendimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Më 24 prill 2023, aplikacioni i ishte përcjellë për konsultim sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të Presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.

    Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

    Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.

    Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!