Disa lagje të Prishtinës vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike, si pasojë e zjarrit që ka kapluar dje nënstacionin elektrik “Prishtina 3”.
Gjatë ditës së djeshme qytetarët që furnizohen nga kjo pikë kanë mbetur pa energji elektrike, derisa furnizimi më vonë u kthye për një pjesë të konsumatorëve. E kur kanë kaluar mbi 24 orë, mijëra konsumatorë të tjerë vazhdojnë të mos kenë energji elektrike.
Nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike, KEDS kanë thënë për gazetën online Reporteri.net zjarri në nënstacionin “Prishtina 3” ka shkaktuar dëme relativisht të mëdha, duke lënë pa rrymë rreth 22 mijë konsumatorë, ndërsa furnizimi mbrëmë u rikthye për rreth 11 mijë prej tyre.
Zëdhënësi i KEDS, Lulzim Krasniqi tha për Reporteri.net se ekipet e KEDS-it dhe të KOSTT-it ndodhen në nënstacion dhe po punohet akoma. Ai thotë se porsa KOSTT-i t’i përfundojë punët e anës së tyre, KEDS-i i ka të gatshme asetet elektroernegjetike dhe mund t’i kyçë pjesën tjetër të konsumatorëve.
“Siç mund ta dini, dje në orët e mëngjesit ka ndodhur një zjarr në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT-it, me ç’rast janë shkaktuar dëme relativisht të mëdha dhe, si rezultat, rreth 22,000 konsumatorë kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike, kryesisht në qendër të kryeqytetit.
“Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, megjithatë atyre nuk u është lejuar qasja në objekt, meqë aty ndodheshin, krahas zjarrfikësve, edhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës. Në orët e pasdites së djeshme, KEDS e ka rikthyer furnizimin me energji elektrike për rreth 11,000 konsumatorë të qendrës së Prishtinës, megjithatë pjesa tjetër prej atëherë vazhdon të mos ketë furnizim me energji elektrike.
Që herët në mëngjesin e sotëm, ekipet e KEDS-it dhe të KOSTT-it ndodhen në nënstacion dhe po punohet akoma. Porsa KOSTT-i t’i përfundojë punët e anës së tyre, KEDS-i i ka të gatshme asetet elektroernegjetike dhe mund t’i kyçë pjesën tjetër të konsumatorëve”, ka thënë Krasniqi për Reporteri.net.
Gati 10 mijë konsumatorë vazhdojnë të mos kenë rrymë, KEDS-i thotë se punimet po vazhdojnë