×
  • Lajme
  • Lajme / Marrëveshja e Brukselit

    Borrell: Themelimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar i Kosovës, BE-ja e shqetësuar me pasojat nga ndalimi i dinarit

    Reporteri
    05 Prill 2024 | 9:55
    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politik të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell ka përsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në përgjigje të pyetjeve të deputetit francez Dominik Bild se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe vendimin e BQK-së, Borrell tha obligimi për themelimin e Asociacionit, sipas të drejtës ndërkombëtare buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është lidhur nga Kosova dhe Serbia në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

    Në përgjigjen me shkrim thuhet se BE-ja ka përgatitur draftin evropian të statutit të Asociacionit , në konsultim me ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke respektuar marrëveshjet përkatëse nga dialogu, si dhe kornizën ligjore të Kosovës dhe “vijat e kuqe të palëve në masën e mundshme”.

    Më 21 tetor të vitit të kaluar, projekt-statuti iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Më 26 tetor, Prishtina ka njoftuar BE-në se do ta pranojë propozimin, me kusht që Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi dhe vetë Draft Statuti i Asociacionit-së, të nënshkruhet zyrtarisht nga Kurti dhe Vuçiq. ”, deklaroi Borell.

    Ai shtoi se Beogradi ka përjashtuar çdo formë nënshkrimi dhe se që atëherë përfaqësuesit e Prishtinës nuk janë përfshirë në bisedime për Asociacionin.

    Borrell po ashtu ka thënë se Brukseli është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për heqjen e dinarit dhe pasojat që ai ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

    “Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Borrellit të publikuar në faqen e Parlamentit Evropian.

    Borrell tha se çështja e dinarit ka të bëjë me çështjet që është dashur të negociohen  bashkë me Asociacionin. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!