Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se “Qeveria po gënjen në deklaratat se po kujdeset për mirëqenien e qytetarëve”. Kjo parti, bazuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ka thënë se çmimet që nga marrja e mandatit të kësaj Qeverie janë ngritur 25%.
Siç ka thënë LDK, Qeveria e ka vështirësuar jetën e qytetarëve duke mos ndikuar ndaj kësaj dukurie. Ka shtuar tutje se deklaratat “e fryera dhe të propaganduara të kësaj Qeverie, bien në kundërshtim me realitetin që po jetojmë”.
“Kjo ngritje enorme e çmimeve është me larta ndonjëherë në historinë e Kosovës”, ka thënë LDK.
Lidhja Demokratike ka thënë se Qeveria po propagandon edhe për inflacion, kur “faktet tregojnë qartazi se Kosova ka inflacion enorm”.
“Rritje e çmimeve të produktet bazike gjatë tre viteve të fundit ka shkuar deri 42%, këto janë produkte që na duhen çdo ditë në tavolinë si: buka, mielli, vaji, kripa, sheqeri, qumështi e vezët. Krahas ngritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike, qytetarit të Kosovës gjatë tre viteve të fundit me qeverisjen aktuale i është zbritë paga për një të katërtën në terma real”, ka shtuar LDK.