×
  • Lajme
  • Lajme / Raporti

    Osmani: Riafirmojmë angazhimin për lirinë e gazetarëve – beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente

    Reporteri
    03 Maj 2024 | 12:06
    Foto nga Presidenca, presidentja Vjosa Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, tha se Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën, përcjell Reporteri.net.

    Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Osmani thotë se mbështet dhe inkurajon gazetarët, “sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie”.

    “Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi”, shkroi Osmani.

    Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, shkroi Osmani, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente.

    “Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës”, shkroi Osmani.

    Tutje, e para e shtetit tha se “këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar”.

    Ambasada amerikane në Kosovë, më herët sot ka dhënë një mesazh sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shkruan Reporteri.net.

    Përmes një shkrimi në Facebook, ambasada thotë se një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë dhe mban udhëheqësit e vendit përgjegjës.

    “Një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë – atë që e mban publikun të informuar, mundëson një shumëllojshmëri zërash dhe i mban përgjegjës udhëheqësit”, thuhet në reagimin e ambasadës.

    Ambasada amerikane në Kosovë: Një demokraci e fortë inkurajon shtyp të lirë dhe i mban përgjegjës udhëheqësit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!