×
  • Lajme
  • Lajme / Reporterët pa Kufij

    Ambasada amerikane në Kosovë: Një demokraci e fortë inkurajon shtyp të lirë dhe i mban përgjegjës udhëheqësit

    Reporteri
    03 Maj 2024 | 11:13

    Ambasada amerikane në Kosovë, ka dhënë një mesazh sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shkruan Reporteri.net.

    Përmes një shkrimi në Facebook, ambasada thotë se një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë dhe mban udhëheqësit e vendit përgjegjës.

    “Një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë – atë që e mban publikun të informuar, mundëson një shumëllojshmëri zërash dhe i mban përgjegjës udhëheqësit”, thuhet në reagimin e ambasadës.

    Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

    Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

    “Rregullatori joefikas i medieve, Komisioni i Pavarur i Mediave [KPM], po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga Qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK, me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet në postin e drejtorit. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

    Kosova bie 19 vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa Kufij”: Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka bërë thirrje që mediat dhe gazetarët të mos pengohen gjatë punës së tyre.

    Këshilli ka shprehur shqetësimin për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë, “gjegjësisht regresin që ka shënuar Kosova në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, duke rënë për 19 vende – nga pozita 56 në 75”.

    “Sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe fushatat linçuese ndaj tyre janë kërcënim serioz për një gazetari të pavarur dhe profesionale, si dhe për integritetin dhe jetën e gazetarëve”, thuhet në reagimin e KMSHK-së.

    Këshilli i Mediave: Përpjekjet e autoriteteve për kontroll mbi mediat janë të papranueshme

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar më herët pasi Kosova shënoi rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medies nga “Reporterët pa Kufij”, duke u renditur e 75-ta nga 56-ta sa ishte vjet.

    AGK e ka quajtur këtë regres alarmant, derisa ka cituar disa pjesë që theksohen në raport.

    “Edhe nëse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, KPM, po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, është një prej pjesëve të raportit që ka cituar AGK.

    Këshilli i Mediave: Përpjekjet e autoriteteve për kontroll mbi mediat janë të papranueshme

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se edhe pse shtypi në Kosovë është më mirë nëse krahasohet me rajonin, radhitja e fundit tregon “rënie alarmante”.

    “Mediat shpesh përmenden si shtylla e katërt e demokracisë dhe duhet të mbrohen, jo të kontrollohen. Në Kosovë, media ka një pozicion të mirë në krahasimin rajonal. Megjithatë, raporti i sapo publikuar nga Reporterët pa Kufij tregon një rënie alarmante me 19 vende që nga viti i kaluar. Nevojitet një ndryshim!”, ka shkruar ai në X./Reporteri.net/.

    Rohde: Mediat të mbrohen jo të kontrollohen, në Kosovë nevojitet një ndryshim

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!