×
  • Lajme
  • Lajme / Nesër

    Ftesa e Kurtit për darkë pune me opozitën, pranon Krasniqi dhe e refuzojnë Abdixhiku e Haradinaj

    Reporteri
    12 Maj 2024 | 9:12

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar për darkë pune liderët e opozitës të hënën pasdite për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kreu i qeverisë ka shprehur interesim për takim me të gjithë liderët e opozitës.

    “Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët, muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për TV Besa.

    Mirëpo, ftesa e Kurtit ka marrë përgjigje negative nga Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj derisa Partia Demokratike e Kosovës do të jetë e pranishme në këtë takim.

    Këta të fundit kanë thënë se do të diskutojnë me kryeministrin Kurti për zgjedhjet e reja parlamentare.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.

    Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Kurti për darkë pune.

    Në përgjigjen që kreu i LDK-së ia ka kthyer kryeministrit Kurit, thuhet se e konsideron të vonuar këtë ftesë për takim, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet.

    Abdixhiku thekson se Kurti për këto tri vite e gjysmë ka mbjellë në polarizim të skajshëm të partive politike në Kosovë.

    Por, LDK thotë se do të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës së Kosovës.

    “Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre. LDK-ja konsideron se arsyet për të cilat është thirrur takimi, përkatësisht agjenda legjislative e Kuvendit, mund të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, teksa për çështjen e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, LDK thotë se do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e njëjtë.

    “Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake. Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”, thuhet në letër.

    Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Kurti për darkë pune që do të organizohet të hënën më 13 maj.

    Në përgjigjen që kreu i AAK-së, ia ka kthyer kryeministrit Kurit, thuhet tematikat e kësaj darke bien nën përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare, në këtë rast Besnik Tahirit, i cili e udhëheqë grupin e AAK-së.

    “Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Z. Besnik Tahiri, i cili e udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, thuhet në përgjigjen e Haradinajt.

    Kreu i AAK-së thotë se për tema të tjera që lidhen me momentumin politik në të cilën është Kosova, mund të trajtohen në një moment tjetër.

    “Ndërsa, në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një moment tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes nacional”, thuhet në përgjigjen e Haradinajt./Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!