×
  • Lajme
  • Lajme / LDK

    Letra zotuese për Ascoacionin, Gashi: Veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar, humbje për Kosovën

    Reporteri
    16 Maj 2024 | 10:59

    Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka cilësuar të çuditshme letrën zotuese që Ministrja Donika Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Madje ai thotë se këtë letër Ministrja Gërvalla e ka dërguar në adresë të gabuar, pasi Asambleja Parlamentare siç thotë ai e ka kryer punën e vet, dhe se raporti i Asamblesë nuk e parasheh kërkesën për Asociacionin.

    Madje Gashi ka pyetur se pse të dërgohet në fund të majit në Kushtetuese, kur është ditur qysh para gjashtë muajve mbledhja e Komitetit të Ministrave me 16 dhe 17 maj.

    Shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se ky veprim i Gërvallës është politikisht dhe taktikisht i gabuar.

    “Letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjësor dhe procedural. Kjo letër dërgohet pasi Kosova ka mbetur jashtë diskutimit të Komitetit të Ministrave. Problemi i dytë është që kjo letër i drejtohet personit të gabuar. Asambleja Parlamentare e ka kry punën e vet, nuk ke pse t’i thuash atij për Asociacionin. Një përgjigje natyrale e kryetarit të Asamblesë Parlamentare do të ishte ‘pse ma ke dërgu një letër mu’, kur kjo është jashtë fushës së Asamblesë Parlamentare. Raporti i Asamblesë Parlamentare nuk parasheh kërkesën për themelimin e Asociacionit. Pastaj problemi i tretë është deklarimi se do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të muajit. Pse është lënë deri në fund të muajit kur është ditur qe gjashtë muaj që mbledhja e Komitetit të Ministrave do të mbahet më 16 dhe 17 maj. Është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Kosova e ka humbur mundësinë që të merret vendim pozitiv për të në Këshill të Evropës”, tha Gashi para mediave./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!