Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, ka thënë se hapi i fundit i Qeverisë së Kosovës, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me draft-statutin për Asociacionin, ishte hap i pritshëm e konkret, ndonëse, thotë se “ende nuk kanë ndodhur hapat e vështirë”.
“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa realë për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Sipas ambasadës, dorëzimi i draft-statutit në Kushtetuese është një ndër hapat që Kosova ka paralajmëruar.
“Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komisionit është hapi i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë punët e vështira”. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës për Reporteri.net.
Komentet patën ardhur pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e dha dritën jeshile për anëtarësimin e Kosovës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg, dhe tani u mbetet në dorë ministrave të vendosin përfundimisht.
“Tani vjen puna e vështirë: në mënyrë që ta sigurojë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë çfarë është e nevojshme për të bindur me merita dhe veprime”, pati shkruar Rohde.
Sot, Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se nëpërmjet një letre, e ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
Sipas Gërvallës, ky draft-statut, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe njëkohësisht respekton Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Këshillit të Evropës.
“Drafti siguron, jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkroi ajo në Facebook.
Nga Qeveria e Kosovës thanë se është në dorën e bashkësisë ndërkombëtare që të pranojë “ofertën” për themelimin e Asociacionit, duke u zotuar se janë të gatshëm të zbatojnë këtë, në kuadër të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimin e raporteve.
“Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një ofertë, të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë, në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike, dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por, kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë”, shkroi në Facebook zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Qeveria ka pranuar më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.
Më 16-17 maj, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës takohet në Strasburg. Ky organ jep fjalën për pranimin e një shteti apo jo. Më 14 maj, zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut, nuk është përfshirë në agjendë./Reporteri.net/.