Deputeti gjerman i SPD-së, Frank Schwabe, i cili është edhe kryesues i grupit të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve (SOC) në Këshill të Europës, ka reaguar pasi Kosova nuk u përfshi në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një postimi në platformën X, Schwabe ka kritikuar qeverinë e tij që s’e futi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ministrave.
Sipas tij, Komiteti i Ministrave i detyrohet Asamblesë Parlamentare një shpjegim pas rekomandimit me mbi 80 përqind që i bëri për ta bërë Kosovën anëtare.
“Dështimi i qeverisë [gjermane] për të pranuar sot Kosovën në Këshillin e Europës pas miratimit mbi 80 për qind në Asamblenë Parlamentare është një gabim i rëndë. Kosova i përmbush obligimet e përcaktuara nga Asambleja Parlamentare. Këshilli i Europës nuk duhet të lejojë që të diktohet nga Donald Trump dhe Richard Grenell. Komiteti i Ministrave të qeverive i detyrohet Asamblesë Parlamentare një shpjegim dhe një propozim për një afat kohor dhe një rrugë përpara”, shkroi ai.
Ai tha se do të diskutohet për këtë çështje në Vilnius javën e ardhshme.
“Ne do të diskutojmë hapat e mëtejshëm në Komitetin e Përhershëm në Vilnius javën e ardhshme. Faleminderit atyre që kanë ndërmarrë hapa të guximshëm dhe besojnë në fuqinë e Këshillit të Evropës. E ardhmja është me ata që janë të guximshëm”, shtoi Schwabe.
The government's failure to admit Kosovo to the Council of Europe today after over 80 percent approval in the Parliamentary Assembly is a serious mistake. Kosovo fulfills the obligations set by the Parliamentary Assembly.
— Frank Schwabe #FreeNahid (@FrankSchwabe) May 17, 2024
Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Evropës.
Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg
Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.