×
  • Lajme
  • Lajme

    Shuhet dega e Alternativës në Prishtinë, akuzojnë ashpër Mimoza Kusarin për lojëra politike

    Reporteri
    06 Shtator 2019 | 11:16

    Dega e Alternativës në Prishtinë njofton se ka ndërprerë zyrtarisht çdo bashkëpunim me partinë Alternativa për shkak të siç thonë ata, veprimeve autoritare të kryetares së kësaj partie Mimoza Kusari –Lila.


    “Alternativa, e cila, ndonëse do të duhej të ishte sinonim i promovimit të frymës së liberal-demokracisë, falë veprimeve pas shpine, e shpeshherë edhe autoritare të kryetares Kusari-Lila dhe një grupi të ngushtë përreth saj, ndikoi në përçarjen e pariparueshme të partisë”, thuhet në njoftimin e degës së Alternativës në Prishtinë.

    Dega e Alternativës në Prishtinë, thekson se duke i mbetur besnike parimeve të liberal-demokracisë dhe shtyrjes përpara të interesave publike, bëri gjithçka në fuqinë e saj për të ruajtur idenë mbi të cilën edhe ishte themeluar si projekt politik.

    “Mirëpo, ky synim i kësaj dege, dhe i një pjese të konsiderueshme të degëve dhe anëtarësisë së Alternativës në nivel vendi, u anashkalua paturpësisht nga kryetarja Kusari-Lila dhe grupi i saj, për të çuar përpara projekte dhe ide me leverdi personale e grupore, duke anashkaluar apo nëpërkëmbur kështu të gjitha organet kryesore partiake”, thekson tashmë ish-dega e Alternativës në Prishtinë.

    “Ne, si Alternativë e Prishtinës, nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi asnjëherë pjesë e lojërave të tilla. Së këndejmi, për hir të të së vërtetës, dhe përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që na besuan dhe na besojnë ende, njoftojmë opinionin e gjerë publik se, nga sot e tutje e ndërpresim edhe zyrtarisht çfarëdo formë të të bashkëpunimit dhe komunikimit me Alternativën, si parti”, thuhet në fund të komunikatës së ish degës së Alternativës në Prishtinë. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!