×
  • Lajme
  • Lajme

    A janë pro shkëmbimit të territoreve si marrëveshje finale? Senatorët amerikanë përgjigjen nga Beogradi

    Reporteri
    06 Shtator 2019 | 12:09

    Dy senatorët amerikanë, Ron Johnson dhe Chris Murphy pas Kosovës gjatë ditës së sotme kanë qëndruar për vizitë në Serbi, ku kanë zhvilluar takime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.


    Në një konferencë për media, presidenti serb tha se kanë diskutuar për shumë tema, në mesin e të cilave ishte edhe Kosova. Vuçiq u shpreh se ka kërkuar nga senatorët amerikanë që Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’i hapet rruga një  një marrëveshje kompromisi, transmeton Reporteri.net.

    Senatori Ron Johnson tha se në Kosovë dhe Serbi erdhën për të mbështetur popullin serb dhe atë shqiptar.

    “Marrëdhëniet e mira midis Serbisë dhe Kosovës duhet të ekzistojnë në mënyrë që të dy vendet të ecin përpara”, u shpreh Johnson.

    Ai deklaroi se ata janë për vazhdimin e dialogut dhe se nuk ka zgjidhje finale pa humbur diçka secila palë.

    “Një nga gjërat që me të vërtetë besojmë është se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet të arrihet në mënyrë që të dyja vendet të përqendrohen në zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre. Ne duam të bëjmë çdo gjë që mundemi të përkrahim dialogun mes dyja vendeve. Mbase marrëveshja nuk do të jetë e kënaqshme për të dy vendeve. Por e mira e kësaj është se sapo marrëveshja të arrihet do të ketë benifite të mëdha për të dy popujt”, u shpreh ndër të tjera ai.

    Në anën tjetër, senatori Murphy u shpreh se kur është fjala për Kosovën dhe Serbinë, edhe republikanët, ashtu si demokratët janë në një mendje se duhet të vijë deri te një marrëveshje finale.

    “Ne jemi këtu për ta bërë të qartë se demokratët dhe republikanët jemi të një mendimi për Serbinë dhe Kosovën. Siç e tha edhe senatori Xhonson e dimë se duhet të bëhen sakrifica të mëdha nga të dy anët dhe shpresojmë se pas zgjedhjeve në Kosovë do të ndërmirren masa”, u shpreh Murphy.

    Të pyetur nga gazetarët se a është opsion për Uashingtonin shkëmbimi i territoreve si zgjidhje e mundshme, ata thanë se përkrahin çfarëdo marrëveshje për të cilën palët pajtohen, shkruan Reporteri.net.

    “Ne ishim të qartë kur thamë se duam t’u japin Serbisë dhe Kosovës hapësirën për të vendosur se cila është marrëveshja më e mirë që mund ta arrijnë. Ne jemi të gatshëm të asistojmë në çdo mënyrë të mundshme. Ne besojmë që duhet t’u japim hapësirën që të arrijnë në një marrëveshje të pranueshme. Nëse këshillat kërkohen ne jemi aty, dhe nëse përkrahja kërkohet pas arritjes së marrëveshjes ne jemi sërish aty”, përfundoi senatori Murphy. /Reporteri.net

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!