Lista Serbe duket se ka marrë “aminin” nga Beogardi për të garuar në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë.
Ata kanë dorëzuar sot listën për deputetë në Komisionin Qendror Zgjedhor. Kryetari i kësaj partie Goran Rakiq ka thënë se në këto zgjedhje Lista Serbe do të arrijë të fitojë që të dhjetë deputetët.
“Në këto zgjedhje Lista Serbe do të ketë kandidatët më të mirë. Kandidatët që jo në rrugë, por në Kuvend do të luftojnë për të drejtat e serbëve për një jetë më të mirë në interes të mbijetesës së serbëve në Kosovë e Metohi. Dua të them se ne jemi të hapur për të gjitha ato parti, interesi i të cilave është të luftojnë për mbijetesën e komuniteteve në Kosovë. Jam i bindur se Lista Serbe do të fitojë 10 kandidatë në këto zgjedhje”, është shprehur ndër të tjera Rakiq.
I pyetur se a është ende Milan Radoiçiqi nënkryetar i partisë, Rakiq tha se ia ka ofruar atij pozitën e kryetarit, për çka janë pajtuar edhe anëtarët e tjerë të partisë, mirëpo ai e ka refuzuar kështu që mbetet nënkryetar.
Kujtojmë, se ata një vendim të tillë e kanë marrë pas konsultimeve që kanë pasur me pasur me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuciq.
Në anën tjetër, ditë më parë në Graçanicë është nënshkruar një marrëveshje për koalicion në mes të një grupi të serbëve të Kosovës, në krye të të cilit gjendet politikani Sllobodan Petroviq. Ata kanë thënë se kanë bërë këtë veprim politik për të sfiduar Listën Serbe, si dhe për të ruajtur dhe forcuar pozicionin e serbëve në Kosovë, asisoji që garanton mbijetesën e tyre të qëndrueshme.
Kujtojmë se sot është afati i fundit kur partitë politike duhet të dorëzojnë listën me emrat e atyre që do të garojnë për deputet./Reporteri.net