×
  • Lajme
  • Lajme

    KQZ-ja hap tender për kamerat që do të vendosen nëpër vendvotime

    Reporteri
    03 Qershor 2024 | 14:34

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është publikuar njoftimi për kontratë për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për furnizim me kamera dhe pajisje përcjellëse për regjistrimin e aktivitetit gjatë procesit të votimit dhe numërimit.

    Afati për dorëzim të ofertave do të përfundojë më 11 korrik dhe KQZ njofton se të gjitha detajet tenderuese janë publikuar në platformën E-prokurimi.

    Vlera e parashikuar për këtë tender është 1 milion e 55 mijë euro.

    Lidhur me çështjen e kamerave, KQZ ka thënë se:

    – Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim;

    – Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit;

    – Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullësi me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese;

    – Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!