Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Korab Gashit, të dyshuarit për grabitjen e armatosur në Suharekë më 22 nëntor të vitit 2023, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Gjykata ka bërë të ditur se ai më 22 nëntor 2023, në qytetin e Suharekës, në rrugën “Brigada 123”, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A:B:.
Ai dyshohet se është pjesë e grupit me B.B., B:I., K.G., D.G., dhe L.C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat.
Gashi që prej këtij rasti ishte në arrati, ndërkaq u arrestua më 1 korrik të vitit 2024.
Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme, këto veprime të të pandehurit tregojnë këmbëngulësin e tij në kryerjen e veprës penale, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurit në liri i njëjti mund të përsëris veprën penale.
Ndërkaq, Dukagjin Gashi, njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë ishte vrarë në fund të muajit nëntor, në Prishtinë, gjatë operacionit të Policisë së Kosovës për kapjen e grupit kriminal ku pjesë e tij ishte edhe vëllai i tij, Korab Gashi, i cili u kap më 1 korrik të vitit 2024 nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë gjatë aksionit të policisë së Kosovës më 30 nëntor të vitit të kaluar, – ku pati edhe shkëmbim zjarri me Policisë, e ku si pasojë u vra i dyshuari Gashi -, Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë edhe katër të dyshuar tjerë në lidhje me të njëjtin krim. Dy prej tyre janë Bujar Basha dhe Leutrim Cakolli.
Bujar Basha, siç raportoi gazeta online Reporteri.net, është emër i njohur për autoritetet e sigurisë në vend. Ai është një ish i dënuar për grabitje tjera të armatosura në Kosovë, si dhe për arratisjet e bujshme nga Burgu i Dubravës.
Ndryshe, më 22 nëntor të vitit 2023 kishte ndodhur plaçkitja e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, ishte plagosur në këmbë një polic i Kosovës.