Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë më 1 korrik përcillet sot në banesën e fundit.
Ditën e sotme në nder të shkrimtarit të madh do të mbahen homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Homazhet publike do të mbahen në orën 09:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ndërsa në orën 11:30 do të mbahet ceremonia shtetërore e Lamtumirës. Në orën 12:30 kortezhi do të niset në drejtim të varrezave të Tufinës.
Në nder të shkrimtarit, Shqipëria shpalli 2 dhe 3 korrikun ditë zie, ndërsa Kosova shpalli 3 korrikun ditë zie. Në të dy vendet flamujt janë ulur në gjysmë shtize.
Në ceremoninë shtetërore që do të organizohet nga Kryeministria do të marrin pjesë krerët e shtetit të Kosovës.
Në ceremoni do të marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca e disa deputetë./Reporteri.net/