Dy raste të dhunimit janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë. Sipas Policisë, rastet dyshohet se kanë ndodhur në komunën e Vushtrrisë dhe atë të Suharekës, ku viktimat janë të gjinisë femërore, njëra nga to e mitur, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka dhënë detaje duke thënë se në Vushtrri një person është arrestuar pasi është kapur në flagrancë duke mbajtur me forcë të miturën.
Gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë, viktima dhe i dyshuari kanë deklaruar se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e të dyve.
I dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunim’.
“Vushtrri 02.07.2024-10:00. Policia gjatë patrullimit kanë takuar duke qëndruar në rrugë të dyshuarin mashkull kosovar i cili ishte duke mbajtur me forcë viktimë femër kosovare të mitur. Të njëjtit janë shoqëruar në NJHP-Prishtinë dhe gjatë intervistimit kanë pranuar se me dëshirën e dy palëve kanë kryer marrëdhënie seksuale. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa në rastin tjetër të rëndë që ka ndodhur në Suharekë, është një grua e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe është dhunuar nga dy persona të panjohur.
Policia ka arritur që t’i arrestojë tre persona të dyshuar, ku me vendim të prokurorit dy nga ta janë ndaluar për 48 orë, ndërsa njëri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt.
“Suharekë 02.07.2024 – 09:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe dhunuar nga dy persona të panjohur. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor, ndërsa lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar”, njofton Policia përmes raportit 24 orësh.