Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se i kanë votat që ta kalojnë nesër në Kuvendin Komunal, Planin Zhvillimor Komunal, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka dhënë detaje lidhur me këtë plan, që ka thënë se tregon trajektoren e zhvillimit të kryeqytetit.
“Është një plan strategjik, një plan që tregon trajektoren e zhvillimit të kryeqytetit, pra planifikimin për zhvillim të kryeqytetit. Jep me vija të trasha se nga shkojmë ne si shoqëri. Për këtë arsyeje është me rëndësi shumë të madhe që të votohet që të dalë në debat publik, për arsye se një dokument që është punuar me vite të tëra, edhe prej drejtorëve të kryeqytetit prej institucioneve të ndryshme, prej ministrive të ndryshme profesionistëve lokal e ndërkombëtare, dhe duhet tash të dalë në diskutim publik në mënyrë që t’u japim mundësi që secili qytetarët i kryeqytetit me pas mundësi për me kuptu ne detaje nga ne planifikojmë ose e shohim të ardhmen e kryeqytetit…”, ka thënë Rama në RTV Dukagjini.
Ai ka ftuar të gjithë asamblistët që ta votojnë për ta sjellë planin në diskutim publik.
“I ftoj të gjithë asamblistët pa marrë parasysh se çfarë partie janë që këtë plan zhvillimor ta votojnë për diskutim, pra për debat publik sepse nuk po themi që nesër ta ratifikojmë, ne po themi të votojmë ta vendosim në diskutim publik”, ka deklaruar ai.
“Ky dokument nuk është për mua, ky dokument është për Prishtinën, për kryeqytetin, për të gjithë ne”.