Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se të martën në Gjakovë përmes kamerave janë vërejtur disa lëvizje të dyshimta të disa kandidatëve gjatë mbajtjes së provimit me shkrim për patentë shofer, për çka janë ndërmarrë masa ndaj tyre.
Durmishi ka deklaruar se sipas dyshimeve, kandidatët në fjalë në sallë kanë hyrë me pajisje të ndaluara për ta kaluar provimin. Ai ka bërë me dije se zyrtarët përgjegjës të departamentit, ndaj atyre kandidatëve kanë marrë masa të mënjehershme, duke bërë ndërprerjen e provimit dhe duke ua ndaluar hyrjen në provim për 3 vite.
“Dje me dt. 02.07.2024 në Njësinë e Pantentë Shoferit në Gjakovë, gjatë mbajtjes së provimit me shkrim në terminin e orës 14:30, komisioni monitorues përmes kamerave ka vërejtur lëvizje të dyshimta të disa kandidatëve në sallën e provimit. Sipas dyshimeve kandidatët në fjalë në sallë kanë hyrë me pajisje të ndaluara për ta kaluar provimin. Pasi nga ana e departamentit janë njoftuar zyrtarët e njësisë në Gjakovë, çuditërisht kandidatët janë larguar nga salla e provimeve dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Edhe pse të njëjtit është dashur të ndalohen dhe të thirren organet e rendit për vërtetim të fakteve. Departamenti i Patentë Shoferit pasi ka pranuar informatën, ka lajmeruar organet e rendit. Zyrtarët përgjegjës të departamentit ndaj kandidatëve kanë marrë masa të mënjehershme duke bërë ndërprerjen e provimit dhe duke ju ndaluat hyrjen në provim për 3 vite. Ne dyshojmë që këto veprime të këtyre kandidatëve janë bërë në bashkëpunim, por që i mbetët organeve të rendit ta bëjnë vërtetimin e këtyre fakteve. Jemi të përkushtuar që këto parregullësi në njësi të eliminohen”, ka shkruar Durmishi.