Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje reciproke nëse të dyja vendet duan të bëhen pjesë e BE-së.
Rohde ka thënë se në këtë proces duhen vendime të guximshme.
“Vendimet e guximshme janë shumë të nevojshme”, ka shkruar Rohde në X, teksa ka paralajmëruar një intervistë që do ta ketë sonte, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Disa ditë më parë, Rohde ka shpërndarë një deklaratë të kancelarit gjerman Olaf Scholz i cili gjatë vizitës në Kosovë e Serbi, kishte thënë se është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së, duke deklaruar se normalizimi përfshinë njohjen reciproke, dhe kjo gjë nuk ka ndryshuar.
“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të Kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin përfshirë njohjen reciproke. Kjo ende qëndron: Rruga është aty: Zbatim i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/ Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, kishte thënë.
Deklarata e Rohde erdhi pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për ‘NIN’, Hill ka thënë se evropianët po kërkojnë vetëm normalizimi i marrëdhënieve.
Sipas tij, përfaqësuesit e BE-së duan paqe dhe siguri në rajon dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë”, kishte deklaruar Hill./Reporteri.net/
Hill: Njoha e Kosovës nuk është kusht që Serbia të bëhet pjesë e BE-së, i kërkohet normalizimi