Ish-drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka reaguar pas dorëheqjes nga ky institucion, gjë për të cilën ka thënë se nuk ishte në vullnetin e tij personal, po një vendim i tillë sipas tij erdhi pas një presioni politik 7 mujor, shkruan Reporteri.net.
Ahmetxhekaj ka thënë se ky presion politik rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik.
“Ishte dita e 94-të qysh kur isha emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Bashkë më Arsimin, Festimin dhe Florën u nisëm herët për në Tiranë, me mision të veçantë që të takojmë homologët në Radiotelevizionin Shqiptar dhe të marrim modelin për themelimin e orkestrës së RTK-së dhe për Festivalin e Këngës.
Në gjithë kaosin e atij fillimviti dhe buxhetin e reduktuar kishim vendosur që të mos marrim meditjet që na takojnë, pasi na dukej se çdo cent duhej ruajtur për të mundësuar vazhdimin e funksionimit të RTK-së. Rrugës së kthimit diskutonim për vendimet e mëdha të marra gjatë 3 mujorit, përfshirë kontratat për shërbime, skemën e re programore dhe idetë për transformimin e RTK-së.
Takimi me ish drejtorin Enkelejd Joti ishte caktuar në orën 10:00 ndërkaq të 4-tit kishim me dhjetëra pyetje, me Festimin (në atë kohë drejtor i TV-së) që nuk lëshonte rend me pyetjet për festivalin dhe orkestrën.
Ky takim nuk zgjati shumë gjatë kthimit për në Kosovë, caktuam afatet dhe planin e veprimit për nisjen e festivalit (duke përfshirë negociatat me Ministrinë e Kulturës) dhe poashtu ideuam edhe organizimin e koncertit për Ditën e Paqes, dedikim për luftën në Ukrainë”, ka shkruar mes tjerash Ahmetxhekaj në Facebook.
“Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoj me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik.
Në këtë kontekst, qëndrimi im i mëtutjeshëm në këtë pozitë kur ka mosbesim, mungesë të mbështetjes për procesin e reformës së RTK-së dhe Strategjinë Zhvillimore 2024-2027, është i pakumptimtë dhe do të sillte vetëm bllokadë e stagnim për transmetuesin publik.
30 muaj në menaxhim të RTK-së do të mbesin për mua nderi më i madh jetësor, ngase arrita t’i shërbej me sukses fuqizimit dhe rritjes së kredibilitetit të shtëpisë sime të dytë. Kjo dëshmohet edhe me hulumtimet e opinionit publik”, thuhet tutje në reagim.
Për Bordin e RTK-së, kishte reaguar muaj më parë edhe Ricardo Gutierrez, kryetari i Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Veç kësaj, Gutierrez kishte bërë thirrje që të anulohet procesi aktual i zgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe mos të ketë individë që janë të lidhur me pushtetin, duke ju referuar Mehmet Kalisit, i cili kishte marrë më së shumti pikë nga Komisioni i Kuvendit të Kosovës.
“I bëj thirrje Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti që të anulojë procesin aktual të zgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe të sigurohet që individë si z. Kalisi apo të tjetër që janë të lidhur me partinë në pushtet të mbahen larg bordit të RTK-së…”, thuhej në reagimin e tij.
Në fund të muajit qershor pati një reagim edhe nga ECMPF mbi zhvillimet e fundit në transmetuesin publik të Kosovës, RTK.
Përmes një reagimi, kishin shprehur shqetësimin siç thonë, “nga kriza në rritje brenda RTK-së rreth presionit politik që po ushtrohet për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj”.
“Ju shkruajmë për t’ju kujtuar se çdo ndërhyrje politike në menaxhimin e transmetuesit publik do të ishte një akt jashtëzakonisht jodemokratik dhe roli juaj si anëtarë të bordit është t’i rezistoni të gjitha presioneve të tilla”, thuhet në reagimin që i është drejtuar Bordit të RTK-së.
ECPMF kërkoi të mirren parasysh dhe me kujdes vendimet e ardhshme dhe Bordi i RTK-së të sigurohet që transmetuesi publik të vazhdojë t’i shërbejë publikut dhe jo interesave politike.
/Reporteri.net/