Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer po qëndron për vizitë në Kosovë ku sot është pritur në takim nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Në konferencën e përbashkët për media, Nussbaumer u pyet edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, shkruan Reporteri.net.
Rreth asaj se a duhet Serbia të mbahet përgjegjëse e të ketë masa ndëshkuese për të, ashtu siç vitin e kaluar i janë vendosur Kosovës nga BE-ja, presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës tha se dëshiron që të dyja vendet të gjejnë një zgjidhje.
Sipas Nussbaumer, ai nuk është në pozitën që duhet të diskutojë se a duhet dënuar Serbia apo jo, por që siç tha ai duhet punuar për të qartësuar situatën dhe të gjindet një zgjidhje.
“Siç e kam përmendur, unë mendoj që paqja e qëndrueshme edhe në këtë pjesën veriore është shumë e rëndësishme për Zvicrën, prandaj mbështesim të gjitha përpjekjet që mbështesin dialogun që mund të vazhdojnë me atë që të dyja vendet të gjejnë një zgjidhje, të kemi një zgjidhje për popullatën joshumicë, por nuk jam në pozitë si president i Këshillit Kombëtar të Zvicrës të diskutojë për atë se a duhet të dënojmë Serbinë, por mendoj që nëse nuk është në linjë me këtë marrëveshje duhet të punojmë së bashku, të qartësojmë situatën, të gjejmë një zgjidhje, të dalim nga kjo bllokadë”, tha ai para gazetarëve.
“Kjo vizitë më ka ofruar një pasqyrë më të qartë për Kosovën, prandaj unë do të mbështes Kosovën, dhe Zvicra do të vazhdojë të mbështes Kosovën, për të gjetur një zgjidhje që të vazhdojë Kosova me sovranitetin e saj dhe të vazhdojë rrugëtimin drejt integrimeve evropiane”, shtoi Nussbaumer.
/Reporteri.net/