Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar me rastin e arrestimit të kameramanit të “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri, i cili u arrestua gjatë kohës që ishte në kryerje të detyrës në Prizren, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një reagimi publik, AGK-ja ka dënuar fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, teksa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Tahirit.
“Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm. Pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj, dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për deklaratë.
AGK-ja, e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës si dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin”, thuhet në reagim.
Ndryshe, sipas AGK-së, Tahiri ka qenë i shoqëruar me kolegen e tij duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve në Prizren.