×
  • Lajme
  • Lajme

    Nëna e të akuzuarit se ia vuri flakën objektit të Gjykatës së Kaçanikut thotë se atë natë djali i saj ka qenë në shtëpi

    Reporteri
    09 Korrik 2024 | 19:17

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës nëna e të akuzuarit Elmedin Raka, në cilësinë e dëshmitares Emina, deklaroi se në ditën kritike i akuzuari kishte qenë në shtëpi së bashku me familjarët e tjerë.

    Në këtë rast, përveç Rakës lidhur me zjarrvënjen në objektin e Gjykatës në Kaçanik, Prokuroria po i ngarkon dhe të miturit T. B, M. R. dhe V. T., raporton “Betimi për Drejtësi.

    “Atë natë u kon, kemi pas mysafir për iftarë, une kom hangër iftarë me djalin tim Elmedinin … ka lexu Kuran ku isha edhe une tu lexu“, tha dëshmitarja Emine.

    Tutje, ajo deklaroi se kur ka marrë zjarr objekti i Gjykatës në Kaçaniku, kishte qenë ora 03:30 ose 04:00 e mëngjesit, ndërkohë që e njëjta kishte qenë duke e përgatitë ushqimin për syfyr.

    Dëshmitarja shtoi se në atë kohë kur ka ndodhur zjarri në gjykatë biri i saj, tani i akuzuari Raka ka qenë në shtëpi.

    “Bashkëshorti me djalin e vogël kishin shkuar që ta falnin sabahin, ndërsa Elmedini e ka fal në shtëpi”, tha ajo.

    Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e dëshmisë së dëshmitarit Hasan Piliqi, i cili tha se nuk e njeh të akuzuarin.

    “Nuk kam lidhshmëri me të akuzuarin dhe nuk e njoh”, tha dëshmitari Piliqi

    Në ditën kritike dëshmitari deklaron se në atë periudhë kishte qenë duke i dërguar fëmijët e tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare, pasi që i kishte sëmurë.

    Kurse, lidhur me zjarrvënie në objektin e gjykatës, i njëjti deklaroi se ishte informuar nga gjykatësi, Buran Berisha.

    Paraprakisht, në këtë seancë prokurorja Fikrie Krasniqi në fjalën e saj hyrëse tha se aktakuza është e mbështetur dhe arsyetuar mjaftueshëm me provat materiale dhe jo materiale.

    Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Raka, avokatja Femije Gashi-Bytyqi tha se përpilimi i kësaj aktakuze ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

    “Pas administrimit të provave, një e nga një, vërtetohet se i mbrojturi im nuk ka të bëjë me këtë vepër penale. Në këtë rast Prokuroria Special e ka shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës “, deklaron avokatja Gashi-Bytyqi.

    Po ashtu, i akuzuari Raka deklarohet i pafajshëm edhe në këtë fazë të procedurës.

    Gjithashtu, avokatja Gashi-Bytyqi i propozoi gjykatës ndërprerjen e masës së paraburgimit, për të mbrojturin e saj, për të cilin propozim gjykatësi Shyti, tha se do të vendosin jashtë shqyrtimit gjyqësorë.

    Në këtë seancë ishte e paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Eroll Lika, por i njëjti ka munguar dhe sipas gjykatësit Shyti, i njëjti nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2024, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), thuhet se i akuzuari Reka me dashje dhe pas marrëveshjes paraprake me të miturit T. B, M. R. dhe V. T., me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues ka shkatërruar dhe dëmtuar instalime apo pajisje publike, duke qenë me bindje ideologjike vehabiste si dhe duke shpërfaqur urrejtje ndaj institucioneve shtetërore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, me datën 13 mars 2024, rreth orës 03:42 minuta, kanë shkuar te objekti i Gjykatës Themelore Ferizaj – Dega në Kaçanik.

    Tutje në aktakuzë thuhet se i mituri T. B. dhe i akuzuari Raka, duke përdorur forcën e kanë hapur derën e shkallëve emergjente, kanë arritur në katin e dytë të objektit dhe me një mjet (lloz) metalik kanë hapur dyert e dy zyrave të gjyqtarëve ku në secilën zyre kanë vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse, ndërsa nga një shishe e kanë vendosur në hyrje të zyrave, e pastaj duke u larguar ua kanë vu zjarrin shisheve, me c’rast korridori dhe zyrat e lartpërmendura i ka kapluar zjarri dhe janë shkatërruar tërësisht, duke vështirësuar funksionimin e shërbimeve publike.

    Sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe të miturit V.T. dhe M.R. kanë bë roje rreth objektit të gjykatës, e pastaj se bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë i akuzuari Raka në bashkëkryerje me të miturit e ka kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Ndryshe, të miturit e lartcekur janë duke u gjykuar në Departamentin për të Mitur të Gjykatës Themelore të Ferizajt.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!