×
  • Lajme
  • Lajme / Jepet fjala përfundimtare

    Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për masakrën e Izbicës, mbrojtja thotë se ai është i pafajshëm

    Reporteri
    09 Korrik 2024 | 20:19

    Gjatë dhënies së fjalës përfundimtare në gjykimin ku Muhamet Alidemaj po akuzohet për krime lufte gjatë vitit 1999, prokurori special Ilir Morina kërkoi dënimin e të njëjtit, kurse mbrojtësi i tij, avokati Milosh Deleviq thotë se i akuzuari Alidemaj është i pafajshëm.

    Alidemaj ngarkohet se kishte marrë pjesë bashkë me policë dhe ushtarë serbë në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar mbi 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurori Morina e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare dhe gjatë elaborimit të së njëjtës shtoi se prokurori i shtetit qëndron pranë aktakuzës por që tërhiqet nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marr pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

    Ndër të tjera, i njëjti tha se mbetet pranë pikës apo dispozitivit të parë dhe tretë të aktakuzës duke shtuar se shumica e dëshmitarëve e identifikuan të akuzuarin Alidemaj dhe kërkoi nga gjykata që të merrnin parasysh peshën e provave që kanë në dispozicion dhe të japin një vendim të drejtë.

    Prokurori Morina po ashtu i propozoi gjykatës që të akuzuarin Alidemaj ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    Edhe mbrojtësi i viktimave, Veton Rudaku fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi me shkrim, ndërsa gjatë elaborimit kërkoi që i akuzuari Alidemaj të shpallet fajtor.

    Edhe të dëmtuarit A.O, I.D, B.D, Xh.O, N.O, A.D, B.O, H.O, E.D, R.O, F.O dhe J.O deklaruan se mbështesin fjalën përfundimtare të prokurorit Morina dhe mbrojtësit të viktimave Rudaku dhe të gjithë parashtruan kërkesë pasurore-juridike.

    Të njëjtit kërkuan që i akuzuari Alidemaj të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim meritor.

    Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Alidemaj, avokati Millosh Deleviq fjalën përfundimtare në këtë çështje e dorëzoi me shkrim, ku gjatë elaborimit së të njëjtës tha se ata jo vetëm që besonin por e dinin që i akuzuari Alidemaj është 100 përqind i pafajshëm.

    Ndër të tjera i njëjti tha se nuk ishte drejtësi nëse gjykohet një njëri që nuk ishte fajtor dhe se ishte dëshmuar se i akuzuari Alidemaj në shtator të vitit 1998 e kishte lëshuar Kosovën dhe se nuk kishte kryer krime lufte, duke shtuar se presin nga gjykata aktgjykim lirues.

    I akuzuari Alidemaj po ashtu tha se ishte i pafajshëm dhe se kjo aktakuzë nuk i takonte atij pasi që ai nuk kishte kryer veprat penale për të cilat akuzohet dhe se ai gjatë luftës nuk kishte qenë në Kosovë dhe duke kërkuar gjykim “real” pasi ai ishte i pafajshëm sipas tij.

    Në fund kjo çështje penale u shpall e përfunduar ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet në një datë tjetër.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

    Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!