×
  • Lajme
  • Lajme / Kërcënimet e sigurisë

    Lufta hibride, bazat ushtarake të Serbisë, kërkesa ndaj Perëndimit – çka tha Kurti mbrëmë në CNN

    Reporteri
    10 Korrik 2024 | 7:38
    Kryeministri Albin Kurti në intervistën për CNN. 9 korrik 2024

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është agresive ndaj Kosovës, jo vetëm duke mos e njohur si shtet të pavarur, por për shkak se “është angazhuar” në luftë hibride dhe po zhvillon trajnime ushtarake në bazat që i ka pranë kufirit me Kosovën.

    Gjatë një interviste për CNN, Kurti tha se Kosova i kërkon Perëndimit që t’i bëjë presion Serbisë që të largojë ato baza, teksa theksoi se Beogradi ka ngjashmëri me Rusinë, pasi sipas tij, të dy u shkaktojnë telashe fqinjëve sepse “duan zgjerim”.

    “Në aspektin politik, Serbia është shumë e ngjashme me Federatën Ruse. Ato nuk njohin de facto dhe de jure fqinjët e tyre. Ato u shkaktojnë probleme fqinjëve sepse duan zgjerim. Në anën tjetër, duhet ta them se Rusia ndoshta e imiton Serbinë e regjimit të Millosheviqit. Tani mund ta shohim sesi presidenti despotik [Vladimir] Putin dëshiron ta shndërrojë Ukrainën në një shtet, të ngjashëm me skenarin boshnjak, ku përbrenda do të ishte e ndarë në aspektin territorial, në mënyrë që ta bëjë jofunksionale dhe të krijojë mundësi për pushtim të mëtejmë të territorit”, tha Kurti.

    Kryeministri kosovar tha se në aspektin historik, kulturor dhe operacional, Kremlini dhe Beogradi kanë imituar njëri-tjetrin dhe kjo është shqetësuese për Kosovën.

    “Prandaj jemi të shqetësuar sepse është në interesin e Kremlinit që të përhapë konflikte të tjera në Evropë përmes bashkëpunëtorëve të tij. Dhe Serbia në Ballkan është shtet hegjemonist dhe njëkohësisht bashkëpunëtore e Rusisë”, tha Kurti.

    Kurti, në një intervistë me gazetaren Christiane Amanpour, ka thënë se Serbia është e ngjashme me Rusinë, dhe se në asnjë variant nuk pranon shtetësinë e Kosovës, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Serbia është shumë e ngjashme me Rusinë, nuk e pranon as de facto as de jure fqinjin e saj”, tha Kurti.

    Kurti mes tjerash tha se Serbia pret një mundësi për t’u futur në Kosovë dhe se këtë duhet ta parandalojnë partnerët perëndimorë.

    “Fqinji ynë Serbia është shumë agresiv ndaj Kosovës, fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur. Krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi. Ka 48 baza operative përreth kufirit duke pritur për një dritare mundësie. Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila që ka 50-150 ushtarë. Nëse flasim nga aspekti politik, Serbia është e ngjashme me Federatën Ruse. Ata nuk njohin de facto dhe de juro në të vërtetë fqinjët e tyre sepse ata duan zgjerim”, ka thënë Kurti.

    Kryeministri kosovar tha se në aspektin historik, kulturor dhe operacional, Kremlini dhe Beogradi kanë imituar njëri-tjetrin dhe kjo është shqetësuese për Kosovën.

    Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe fuqinë e saj, tash dhe atë kohë.

    “Kushdo që është ende gjallë dhe ishte në Kosovë më 10, 11, dhe 12 qershor të vitit 1999 e di se ato ditë janë ditët më të lumtura të jetës së tyre. Çlirimi u mundësua nga qëndrueshmëria dhe lufta e njerëzve dhe nga ndërhyrja e NATO-s”, tha Kurti në CNN, transmeton Reporteri.net.Në video-lidhje ishte edhe gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.

    Clark ka thënë se “Serbia është dorë e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave ruse”.

    Kurti, mes tjerash, tha se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare për këto 25 vite që kanë qenë vite të demokracisë dhe përparimit.

    “NATO pas hyrjes në Kosovë mundësoi ngritjen e institucioneve. Filluam të shkonim në shkolla. Filluam të punonim”, tha Kurti, duke shtuar se në Kosovë “jeta rifilloi”.

    “Sot është e vështirë të shpjegohet. Eh, ky moment që ndoshta është i ngjashëm vetëm me çlirimin në Evropën Kontinentale nga Gjermania naziste. Dhe unë mendoj se, ky është kujtimi më i rëndësishëm që njerëzit kanë dhe ata e vlerësojnë atë dhe duan të avancojnë më tej vendin tonë”, tha Kurti.

    Kurti është lidhur drejtpërdrejt në këtë intervistë nga Mali i Zi./Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!