×
  • Lajme
  • Lajme / Stabiliteti rajonal

    Senatorët amerikanë: SHBA e vendosur për t’i frenuar përpjekjet për minimin e paqes në Ballkanin Perëndimor

    Reporteri
    10 Korrik 2024 | 8:31

    Bashkëkryetarët e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, demokratja Jean Shaheen dhe republikani Thom Tillis shprehën të martën përkushtimin dypartiak ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe diskutuan për mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Dy senatorët i shprehën qëndrimet e tyre në një njoftim për median, pas një takimi dypartiak në Kapitol me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Filip Ivanoviç të cilët ndodhen në Uashington për takimin e nivelit të lartë të NATO-s.

    Senatorët vlerësuan kontributet e këtyre vendeve në NATO, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe rolin e tyre ndaj stabilitetit rajonal.

    “Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global”, tha Senatorja Shaheen.

    “Uniteti ynë i palëkundur është një shprehje e qartë e vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara për të frenuar përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ajo.

    “Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës, dhe si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, ne e bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare, në mënyrë të veçantë në kushtet kur Rusia vazhdon luftën e paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët tanë të NATO-s”, tha Senatori Tillis.

    Në takim morën pjesë edhe senatorët republikanë Mike Rounds, Jerry Moran dhe Pete Ricketts.

    Si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s, Senatorët Shaheen dhe Tillis kanë drejtuar përpjekjet dypartiake në Senat në mbështetje të Aleancës transatlantike.

    Ata kanë bërë thirrje për një rikonfirmim të angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s.

    Këtë javë në Uashington po mbahet takimi i nivelit të lartë të aleancës, që shënon 75 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit për themelimin e saj, një përvjetor që vjen mes sfidave jetike për aleancën. /VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!