Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë Kurti për investimin e “Contour Global”, një investim siç tha ai prej 1.3 miliard dollarësh. Sipas Haradinajt, fajtor është Kurti dhe qeveria e tij për humbjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Abritrazhit ndaj kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në konferencën për media, Haradinaj tha se termocentrali do t’i jepte stabilitet energjetik Kosovës, si dhe çmime më të ulëta se ato që janë në treg në tri vitet e fundit.
Kreu i AAK-së, tha se këto vite, Kurti ua ka rritur dy herë faturat qytetarëve të Kosovës.
“Investimi i Contour Global prej 1.3 miliard dollarë ka qenë investimi më i madh i paraparë, ka qenë investimi më i madh i kontraktuar që nga shpallja e pavarësisë. Ka nënkuptu qindra vende të reja të punës dhe shumë projekte për kompani vendore të Kosovës. Termocentrali do t’i jepte pavarësi dhe stabilitet energjetik dhe çmime më të ulta sesa ato që janë treg pas vitit 2021. Do ta bënte Kosovën të pandikueshme nga lufta në Ukrainë, apo krizë tjetër globale që do të kishte ndikim direkt te çmimi i energjisë. Në rast të këtij investimi Kosova do të përfitonte qindra miliona euro duke shitur energji. Me dështimin e këtij projekti Kosova ndër vite, në tre vitet që shkuan, ka ble 500 milionë euro energji të shtrejt dhe iu rritur faturat qytetarëve, qeveria Kurti, dy herë”, tha ai në konferencë për media.
“Në 2016, u lëshu në prodhim në Stanari të Bosnjës termoelektrana EFT, me pronar Vuk Hanoviq, kompania EFT e këtij pronari është parnterere ne biznes me GEN-in serb. e ky është i njohur si partner për furnizim me energji me Marin Berishën, e i cili është donat i VV-së në zgjedhje. Edhe sot e kësaj dite, Kosova vazhdon me mbet e varur nga energjia e furnitorëve tjerë dhe GEN-it, edhe pse ka ndodhë pavarësimi energjetik, pas katër viteve ende e pagujmë energjinë e humbur në veri dhe ende e importojmë po nga këta”, shtoi tutje ai.
Haradinaj ka thënë se suksesi më i madh gjeopolitik i Rusisë dhe Serbisë, sipas tij, është dështimi i këtij projekti, i cili ka qenë investim amerikan.
Sipas tij, Kurti e “gjun gurin dhe e fsheh dorën”, por që siç tha ai do të ndëshkohet nga qytetarë i Kosovës, dhe se kryeministri bashkë me “klikën” e tij janë kriminela.
“Qeveria Kurti duke e kundërshtuar këtë provjekt, e kanë liruar Contour Globalin nga obligimi që të vazhdojë të financojë këtë projekt dhe e ka shpall Kosovën fajtore. Kriminelët kthehen në vendet e krimit shpesh sepse s’janë ndëshkuar. Kurti dhe klika e tij që e kanë dështuar Countur Global janë kriminel. E ne edhe sot furnizohemi prej termocentraleve që janë mbi një shekull të vjetra, e vazhdojmë blejmë energji prej atyre rrjeteve. E pse kthehen në vendet e krimit, e sa ishin të shpejt me i pagu ato 21 milionë, po se është projekt i tyre. I keni videt se sa me krenari Kurti e shpallte të shpartalluar këtë investim”, tha Haradinaj, përcjell Reporteri.net.
“Kurti e vjedh popullin e Kosovës, dy herë ju ka rrit çmimi i energjisë. E gjun gurin e fsheh dorën. Ai do ta merr llogarinë pikërisht nga qytetari i Kosovës”, tha tutje kryetari i AAK-së.
Ditën e djeshme në mbledhjen e 212 të Qeverisë së Kosovës, u votua pro pagesës së dëmshpërblimit prej 21 milionë eurove ndaj kompanisë “ContourGlobal”, ndërsa akuzonte Haradinajn.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kjo vjen pasi “ContourGlobal” ka fituar rastin ndaj Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Abritrazhit.
“Për pagesë sipas tribunalit të Arbitrazhit, një marrëveshje e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017 përmbante vet nënshkrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ata kishin nënshkruar marrëveshjen përkundër thirrjeve të opozitës dhe shoqërisë civile, një kontrate e tillë nuk do të duhej të nënshkruhej në fillim. Një nënshkrim i papërgjegjshëm i kushtron kosovës mbi 21 milion euro”, kishte thënë dje Murati në mbledhjen e qeverisë.
/Reporteri.net/
Kosova do t’i paguajë 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë “ContourGlobal”