Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij e dhënë ditë më parë për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rreziku që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e popullit por për të njoftuar bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të ndëshkohet Serbia.
“E dinë të gjithë se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Në këto pretendime ajo nuk ka hequr dorë kurrë, por në të njëjtën kohë, Kosova nuk ka qenë kurrë më e përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë”, u shpreh Konjufca para gazetarëve pas përfundimit të seancës, transmeton Reporteri.net.
“Kërrkush nuk i thotë këto deklarata për me iu frikësu, apo për të shkaktuar ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, beson në shtet, dhe në institucionet tona për t’iu kundërvu Serbisë”, tha tutje Konjufca.
Konjufca ka përmendur bashkësinë ndërkombëtare se duhet ta ndëshkojë Serbinë.
“E për qe ka grupe që synojmë me e destabilizu Kosovën, ato ekzitstojnë, janë të strehuara në Serbi. Brenda Kosovës, situata kurrë më shumë nuk ka qenë nën kontrollë, grupe me destabilizu Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta, dhe janë duke u shpartalluar. A prej Serbisë atje ku ushtrojnë ata, që marrin armët e gjejnë strehim, ato janë të konfirmuara prej institucioneve tona të sigurisë. Ajo që unë e ndava, është ajo që e tha pas 2 dite Wesley Clark. Këto deklarata nuk i themi për të shkaktuar frikë. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndëshkojë Serbinë”, tha Konjufca.
Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ka paralajmëruar për rrezikun se një konflikt i ri mund të nisë në Ballkan nëse Rusia nuk ndalohet në Ukrainë.
Ai për CNN Clark ka thënë se Serbia i shërben interesave të Rusisë dhe ajo që kërkon Serbia është mbështetja e Rusisë për zgjerim territori.
“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur të vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini që ai të bëjë. Ajo që ai do nga Putini është sigurisht autoriteti për të përdorur forcat e tij në Kosovë, dhe sigurisht duan ndarjen e Bosnjës dhe ta marrin Republikën Srpska dhe bërjen e ‘Serbisë së madhe’. Kemi parë shumë dhunë, vrasje në 30 vjetët e fundit dhe kemi menduar se NATO-ja e ka ndaluar, por nëse ka probleme në Ukrainë ai problem do të vijë në Ballkan dhe liderë, si kryeministri Kurti, duhet të përballen me të”, ka thënë ai.
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark paralajmëron konflikt të mundshëm në Ballkan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për CNN, me gazetaren Christiane Amanpour, ka thënë se Serbia është e ngjashme me Rusinë.
“Fqinji ynë Serbia është shumë agresiv ndaj Kosovës, fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur. Krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi. Ka 48 baza operative përreth kufirit duke pritur për një dritare mundësie. Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila që ka 50-150 ushtarë. Nëse flasim nga aspekti politik, Serbia është e ngjashme me Federatën Ruse. Ata nuk njohin de facto dhe de juro në të vërtetë fqinjët e tyre sepse ata duan zgjerim”, ka thënë Kurti ditë më parë./Reporteri.net/.
Kurti: Serbia e ngjashme me Rusinë, nuk e pranon Kosovën as de facto as de jure