×
  • Lajme
  • Intervista

    “Sa herë kam dalë në terren, nuk e kam ditur a kthehem më”, rrëfimi i fotoreporterit Ridvan Slivova për përjetimet e tij të luftës

    Autor:Fetie Gashi
    11 Korrik 2024 | 13:12

    “Sa herë kam dalë në terren, nuk e kam ditur a kthehem më,”. Kështu, nën emocione, Ridvan Slivova rrëfen dhe kujton punën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë. I lindur më 27.06.1967 në Prishtinë dhe me më shumë se 30 vite përvojë pune, ai ngërthen në vete kujtime të shumta, që një ekspozitë nuk do t’i mjaftonte për t’i shpalosur.

    Pa hezituar, Slivova tregon momentin kur ai vendosi të mos e ndalonte punën e tij, por të ballafaqohej me atë që po ndodhte në Kosovë në mënyrën më delikate duke e dokumentuar atë me fotografi që do të jetojnë aq gjatë sa edhe historia e Kosovës.

    “Momenti kur kam vendosur ka qenë gjatë bombardimeve në pjesën e Gollakut, ku ka qenë e zhvendosur e gjithë popullata e Llapit, Gollakut dhe e territorit të Prishtinës komplet. Aty kam vendosur. Për të qenë i sinqertë, atë kohë nuk ekzistonte gazeta; gjatë bombardimeve nuk kishte as redaktorë, as redaksi, asgjë. Unë kam vendosur me pak negativa që i kam pasur ta fillojë punën. Pesë negativa i kam pasur me vete, domethënë pesë filma për fotografi, dhe me ato kam vendosur që, çfarëdo që të ndodhë, unë kam vendosur të bëj punën time,” tha Slivova.

    E ashtu si punën e tij që nuk mundi t’ia ndalojë as armiku, as fjalën e tij nuk mund ta ndalë askush. Ai ndan me ne tre rastet më të trishta të periudhës që ai e quan “periudhë tragjedie”, të cilat ai i ka përjetuar dhe që edhe sot e kësaj dite e bëjnë të derdhë lot.

    “Gjatë luftës ka shumë raste, duke pasur parasysh faktin që gjatë luftës nuk kam qenë fotoreporter në një vend tjetër, por pjesë e popullatës kam qenë edhe unë. Sa herë e kam parë një të vdekur, unë kam menduar që edhe mua do të më ndodhë e njëjta. Momente prekëse ka pasur gjithmonë, por dua të them shumë sinqerisht, lufta ndoshta ka qenë kurorëzim i lirisë, por duhet të flasim edhe për ngjarjet që kanë ndodhur para lufte. Unë kam qenë i prekur shumë në rastin e Fidan Brestovcit në vitet e ’90-ta, një djalë 7 vjeç, ku forcat policore shtinë në veturë të familjes dhe e vrasin. Kam qenë i prekur shumë edhe kur një moshatar imi, i cili ka qenë në ushtrinë jugosllave, ka ardhur kufomë dhe aty e kam pasur rastin e parë, kufomën e parë që e kam kapur për fotografi. Dhuna e shtetit serb ndaj popullit tonë ka qenë sporadike, çdo vit ka pasur vrasje. Por, vrasja që e kam ndier më së shumti ka qenë vrasja e Agron Rrahmanit, i cili ka qenë udhëheqës i njësive guerile në Prishtinë. Aty jam prekur shumë sepse e kam njohur personalisht. E gjithë ajo periudhë ka qenë periudhë tragjedie,” u shpreh ai.

    Gjatë luftës, Slivova ishte ndaluar disa herë nga policia serbe, por ai thotë se sa herë është ndaluar nga këta të fundit, vetëm sa është forcuar më shumë.

    “Punën e kam bërë publikisht, por në rastet kur kanë qenë afër forcat serbe fshehurazi, jemi detyruar të largohemi. Ka pasur raste kur kam tentuar të afrohem, por më kanë arrestuar dhe më kanë mbajtur në stacion me orë të tëra. Por, qëllimi im ka qenë që të publikoheshin gjërat dhe pasojat pastaj i kemi pritur çfarëdo që të jenë. Sa herë na kanë marrë në pyetje, ne kemi qenë më të fortë e më të qëndrueshëm,” thotë ai.

    Ndër të tjera, ai thotë se për të fotografuar është dashur që aparatin ta fshihte, kështu që edhe ditëve të nxehta verore ai është dashur të vishte xhaketa në mënyrë që aparatin ta fuste në xhep.

    “Aparatin në atë kohë kur e kam mbajtur, edhe pse ndoshta ka qenë koha shumë e nxehtë, më është dashur të marr një xhaketë, diçka të madhe, për ta fshehur dhe për ta futur aparatin në xhep dhe për ta mbajtur xhaketën në dorë dhe për të vazhduar,” shprehet ai.

    Sa i përket të qenurit fotoreporter, Slivova thotë se ky profesion nuk është vetëm punë, por është një mision.

    “Para lufte, në protesta e demonstrata, e kam kuptuar profesionin tonë që ne e kemi si mision këtë punë se sa profesion, kjo më ka bërë të ndihem edhe më mirë,” përfundon ai.

    Rrëfime të tilla si ky nga fotoreporteri i njohur Ridvan Slivova ka pambarim, megjithatë, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Kosova ende nuk ka arritur të krijojë një arkiv të duhur të materialit që dokumenton krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Intervista e plotë:

    Cili është momenti që ke vendosur ta vazhdosh punën tënde gjatë luftës?

    Gjatë luftës kur kam shkuar në terren, kam thënë ndoshta nuk kthehem më, por kur jam zgjuar në mëngjes, kam kërkuar prapë të shkojë në terren. Momenti që kam vendosur ka qenë gjatë bombardimeve në pjesën e Gollakut, ku ka qenë e zhvendosur e gjithë popullata e Llapit, Gollakut dhe e territorit të Prishtinës komplet. Aty kam vendosur. Për të qenë realist, atë kohë nuk ekzistonte gazeta; gjatë bombardimeve nuk kishte as redaktorë, as redaksi, asgjë. Unë kam vendosur me pak negativa që i kam pasur ta fillojë punën. Pesë negativa i kam pasur me vete, domethënë pesë filma për fotografi, dhe me ato kam vendosur që, çfarëdo që të ndodhë, unë kam vendosur të bëj punën time.

    Çfarë keni fotografuar më shumë gjatë luftës?

    Unë kam vendosur kryesisht popullatën civile me e përcjellë gjatë luftës. Kjo më ka nxitur më shumë, me i pa lëvizjet e njerëzve, me i pa vështirësitë që ata kanë me jetën. Ka qenë rrezik për jetë çdo familje, dhe si çdo familje kam qenë edhe unë në rrezik.

    Sa ka qenë e vështirë kjo për ju, duke e ditur faktin që e ke lënë gruan me dy fëmijë në shtëpi për të dokumentuar atë që po ndodhte?

    Është një ndjenjë e përzier, se kur nisesh për të hyrë në një zonë të luftës ndoshta rrugës e mendon familjen, por kur hyn më nuk të vjen ndër mend familja. E krejt çfarë do të bësh është puna e mirë, sado e rëndë e rrezikshme që është.

    Cili është një rast i luftës që e kujton edhe sot?

    Gjatë luftës ka shumë raste, duke pasur parasysh faktin që gjatë luftës nuk kam qenë fotoreporter në një vend tjetër, por pjesë e popullatës kam qenë edhe unë. Sa herë e kam parë një të vdekur, unë kam menduar që edhe mua do të më ndodhë e njëjta. Momente prekëse ka pasur gjithmonë, por dua të them shumë sinqerisht, lufta ndoshta ka qenë kurorëzim i lirisë, por duhet të flasim edhe për ngjarjet që kanë ndodhur para lufte. Unë kam qenë i prekur shumë në rastin e Fidan Brestovcit në vitet e ’90-ta, një djalë 7 vjeç, ku forcat policore shtinë në veturë të familjes dhe e vrasin. Kam qenë i prekur shumë edhe kur një moshatar imi, i cili ka qenë në ushtrinë jugosllave, ka ardhur kufomë dhe aty e kam pasur rastin e parë, kufomën e parë që e kam kapur për fotografi. Dhuna e serbëve ndaj popullit tonë ka qenë sporadike, çdo vit ka pasur vrasje. Por vrasja që e kam ndier më së shumti ka qenë vrasja e Agron Rrahmanit, i cili ka qenë udhëheqës i njësive guerile në Prishtinë. Aty jam prekur shumë sepse e kam njohur personalisht. E gjithë ajo periudhë ka qenë periudhë tragjedie.

    Në atë kohë e ke zhvilluar punën publikisht apo fshehurazi?

    Jo, unë punën e kam bërë publikisht, por në rastet kur kanë qenë afër forcat serbe fshehurazi, jemi detyruar të largohemi. Ka pasur raste kur kam tentuar të afrohem, por më kanë arrestuar dhe më kanë mbajtur në stacion me orë të tëra. Por, qëllimi im ka qenë që të publikoheshin gjërat dhe pasojat pastaj i kemi pritur çfarëdo që të jenë. Sa herë na kanë marrë në pyetje, ne kemi qenë më të fortë e më të qëndrueshëm.

    Si ke mundur ta fshehësh aparatin?

    Aparatin në atë kohë kur e kam mbajtur, edhe pse ndoshta ka qenë koha shumë e nxehtë, më është dashur të marr një xhaketë, diçka të madhe, për ta fshehur dhe për ta futur aparatin në xhep dhe për ta mbajtur xhaketën në dorë dhe për të vazhduar.

    Çfarë do të thotë për ty të qenurit fotoreporter?

    Para lufte, në protesta e demonstrata, e kam kuptuar profesionin tonë që ne e kemi si mision këtë punë se sa profesion. Kjo më ka bërë të ndihem edhe më mirë. Sot ka humbur emri fotoreporter, sot dominon emri fotograf, që janë dy gjëra që dallojnë shumë. Kjo është rreziku që i kanoset jo vetëm fotoreporterëve, por edhe vetë mediave, sepse fotografia e ka cilësinë tjetër dhe fotoreporterët janë diçka tjetër.

    *Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së dhe AGK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!