×
  • Lajme
  • Lajme / "Kontroll mbi mediat online"

    Pushteti e miraton në Kuvend Ligjin për KPM-në që u kritikua nga organizata vendore e ndërkombëtare të gazetarëve

    Reporteri
    11 Korrik 2024 | 13:54

    Projektligj për KPM-në është votuar lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme.

    Projektligji me 93 amendamente, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro është konsideruar i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

    Përkundër kësaj, ai tashmë është miratuar në Kuvend, pasi pushteti e votoi me 59 vota pro, derisa dy abstenuan, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në sallë nuk ishin të pranishëm opozita, pasi ata kishin kërkuar që ky projektligj dhe dy të tjerë të tërhiqen nga rendi i ditës, duke i konsideruar të dëmshëm.

    Shqetësime për Projektligjin kishin shprehur edhe nga Bashkimi Evropian. Zyra e BE-së në Kosovë kishte deklaruar  se ky projektligj se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga Opinioni Ligjor i Këshillit të Evropës.

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë pati thënë  është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

    Shqetësim për këtë projektligj shprehu edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Ai në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

    Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.

    “Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty për gazetën online Reporteri.net.

    Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.

    Në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.

    “Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.

    Në anën tjetër, dy partitë opozitare kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM). /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!