×
  • Lajme
  • Lajme / "Goditja më e madhe nga Qeveria"

    AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre

    Reporteri
    11 Korrik 2024 | 14:51

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, përcjell Reporteri.net.

    AGK-ja thotë se Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.

    “Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    Sipas AGK-së, votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre.

    “Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës. AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit”, thuhet në reagim.

    Deputetë e Kuvendit të Kosovës në seancën e 11 korrikut e kanë miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

    Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se Komisioni parlamentar për integrim, ka deklaruar se amendamentet e projektligjit janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

    “Nuk paskam parë ndonjëherë kësi konstatimi që janë pjesërisht. Ka çështje të cilat në mënyrë universiale nuk trajtohen nga legjislacioni i BE-së, prandaj shtete i rregullojnë sipas mënyrave të veçanta të tyre”, tha Konjufca.

    Pushteti e miraton në Kuvend Ligjin për KPM-në që u kritikua nga organizata vendore e ndërkombëtare të gazetarëve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!