×
  • Lajme
  • Lajme / Shefi i BE-së apel Kuvendit

    BE: Kuvendi dështoi t’i përafrojë Ligjin për KPM-në dhe KPK-në me standardet evropiane

    Reporteri
    11 Korrik 2024 | 15:51
    Flamuri i Kosovës dhe ai i Bashkimit Evropian. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Bashkimi Evropian ka reaguar për dy ligjet që u miratuan sot në Kuvendin e Kosovës.

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, i cili së shpejti përfundon këtë mandat, tha se Kuvendi i Kosovës humbi rastin sot që të ketë dy ligje të mira, Ligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke dështuar t’i fusë të plota rekomandimet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, përcjell Reporteri.net.

    “Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.
    Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe evropiane”, shkroi Szunyog.

    Ndërkaq, shkruan ai, sa i përket projektligjit për funksionarët publikë, “i bëj thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për t’u siguruar që ai të përmbushë standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme”.

    Zyra e BE-së në Kosovë, më herët ka thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.

    Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

    OSBE shprehet e shqetësuar lidhur me miratimin e këtij Projektligji.

    “KPM-ja luan një rol kyç në kornizën rregullative të mediave të Kosovës. Aftësia e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale ka qenë çelësi i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Ekspertët ndërkombëtarë për të drejtën e medias dhanë, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

    Tutje OSBE ka theksuar se rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.

    OSBE shpreh shqetësim: Miratimi i Ligjit të ri për mediat në Kosovë cenon pavarësinë e KPM-së

    “Rekomandimet mbi rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh. Zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes. U bënë disa përpjekje për të rishikuar disa nene për të arritur qartësi ligjore dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetë-rregullimit”, thuhet tutje në reagim.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, përcjell Reporteri.net.

    AGK-ja thotë se Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.

    AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre

    “Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    Deputetë e Kuvendit të Kosovës në seancën e 11 korrikut e kanë miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

    Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime./Reporteri.net/.

    Pushteti e miraton në Kuvend Ligjin për KPM-në që u kritikua nga organizata vendore e ndërkombëtare të gazetarëve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!