×
  • Lajme
  • Lajme / Protesta televizive

    Panduri ndal për pak sekonda sinjalin e TV Dukagjinit: Të rrëzohet ligji i KPM-së

    Reporteri
    11 Korrik 2024 | 20:46

    Televizioni “Dukagjini” ka ndërprerë për pak sekonda sinjalin si shenjë proteste për miratimin e ligjit të KPM-së që i vë mediat online nën kontrollin e shtetit.

    Kjo ndërprerje e sinjalit është bërë para se të niste emisioni “Debat Plus”.

    Me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, në Kuvendin e Kosovës sot është miratuar në lexim të dytë Ligji për KPM-në. Partia në pushtet miratoi Projektligjin me 93 amendamente, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro është konsideruar i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

    Në këtë pikë të rendit të ditës, opozita veçse kishte lëshuar sallën e Kuvendit, pasi kërkesa e tyre sot ishte që ky projektligj dhe dy të tjerë të largoheshin nga rendi i ditës.

    Lidhur me miratimin e këtij projektligji pati përnjëherë reagime të shumta. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se miratimi i këtij ligji është goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre.

    “Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës. AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit”, thuhet mes tjerash në reagimin e AGK-së.

    Se Kosova ka humbur sot një mundësi për të pasur dy Ligje të mira të ndryshuara, atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, e tha shefi i zyres së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.

    Sipas shefit të BE-së, Kuvendi i Kosovës dështoi t’i fusë të plota rekomandimet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

    Në anën tjetër, edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se Kuvendi i Kosovës injoroi opinionet e BE-së, KiE-së dhe OSBE-së. Ai tha se nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën drejt BE-së, atëherë çdo ligj i ri duhet të jetë në përputhje me standardat e këtyre institucioneve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!