Shërbimi Korrektues i Kosovës po planifikon të shpenzojë 75 mijë euro për rregullimin e dyshemesë nëpër institucione korrektuese, përkatësisht “furnizim me material epox për rregullimin e dyshemesë”.
Në dosje theksohet se punëtorëve të kompanisë fituese do t’u verifikohet e kaluara e tyre. Nëse veç kanë qenë të dënuar ndonjëherë, nuk kanë të drejtë të hyjnë në hapësirat e burgjeve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Operatori fitues ka për obligim qe pas nënshkrimit te kontratës ta dërgoj listën e punëtoreve për verifikim për te kaluarën e tyre kriminale. Lista dërgohet te menaxheri i kontratës kurse menaxheri do ta dërgon për verifikim te organet kompetente. Ata punëtorë qe kanë të kaluar jo të mirë ose kanë qenë të dënuar ndonjëherë nuk kanë te drejtë të hynë në hapësirat e burgjeve”, thuhet në njoftim.
Kohëzgjatja e kontratës publike kornizë është gjashtë muaj.
Kompanitë e interesuara për këtë tender kanë të drejtë të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 2 gusht, në orën 14:00.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet në dosje.