Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pas lansimit të projektit “Dritarja për Investimet e Diasporës” duke thënë se Kryeministri Kurti po bën këtë pasi ka nevojë sërish për votat e mërgatës, shkruan Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, Hoti ka përmendur këtu edhe një premtim që Kurti e kishte dhënë në vitin 2021 për funksionalizimin e aeroportit të Gjakovës, e që siç thotë ai po të realizohej, sot diaspora do të udhëtonte më lirë drejt vendlindjes.
Postimi i plotë:
A e dini se gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, për të manipuluar mërgatën, Albin Kurti premtoi funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës për udhëtime me kosto të ulët? Në katër vjet, nuk është bërë asnjë hap përpara në këtë drejtim.
Sot, në vitin 2024, në fund të mandatit të tij, Kurti ka sërish nevojë për votat e mërgatës përsëri. Kësaj here, ai ka dalë me idenë e garantimit të kredive për qytetarët tanë nga diaspora që investojnë në Kosovë.
Sikur këto mjete prej 100 milionë euro të ishin investuar në funksionalizimin e Aeroportin e Gjakovës siç ka qenë premtimi i Kurtit, sot diaspora jonë do të udhëtonte më lirë drejt vendlindjes. Miliona euro që sot shpenzohen në bileta aeroplani do të mund të investoheshin në Kosovë pa asnjë garancion qeveritar, sepse Kosova është vendi ynë.
Pasi këtyre qeveritarëve nuk u vjen turp të mashtrojnë pa nda qytetarët në Kosovë e në diasporë, ne nuk kemi pse të ndihemi keq të shfaqim mashtrimet e tyre çdo ditë.