Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se sot është mbyllur afati për regjistirmin e studentëve në Universitetin e Prishtinës, shkruan Reporteri.net.
“Interesim i jashtëzakonshëm këtë vit në Programet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Sot është mbyllur afati për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës. Bazuar në të dhënat e UP-së, këtë vit ka një interesim të madh për ta zënë një vend si student në Programin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë Shqipe”, shkroi Nagavci.
Ajo tha se në vitin e ri akademik në Programin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe do të pranohen gjithsej 120 studentë apo 60 studentë në secilin drejtim. Deri në ora 16:00 në Programin Gjuhë Shqipe kanë aplikuar 137 studentë (85% më shumë se vitin e kaluar), kurse në Programin Letërsi Shqipe kanë aplikuar 102 studentë (94% më shumë se vitin e kaluar).
“Interesimi për këto drejtime është shtuar për shkak se për herë të parë MASHTI do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në këto programe. Shuma e bursës është 1 mijë euro në vit për student. Jemi shumë të lumtur që tashmë është rritur interesimi për këto Programe dhe nuk rrezikohet mbyllja e tyre. Mbështetja jonë për Gjuhën dhe Letërsinë shqipe do të vazhdojë edhe përmes nismave tjera.
Suksese!”, përfundo Nagavci.