×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    “Guxo” i fshehi të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2023, KQZ e gjobitë me 4000 Euro partinë e Gërvallës dhe Pecit

    Reporteri
    17 Korrik 2024 | 19:03

    Partia “Guxo” është gjobitur me 4 mijë euro për fshehje të të hyrave dhe shpenzimeve për vitin 2023, nga Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në vendimin e KQZ’së thuhet se kjo parti ka raportuar se nuk ka pasur asnjë shpenzim e as të hyrë gjatë vitit të kaluar, duke mos e përfshirë kështu lokalin që e ka shfrytëzuar si zyrë për selinë qendrore.

    “Subjekti politik edhe pse ka raportuar që nuk ka pas asnjë shpenzim as të hyrë, gjatë vitit 2023, nga verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar në Zyrë, konstatohet se subjekti politik ka shfrytëzuar një lokal si zyrë për selinë qendrore gjatë vitit 2023, por të njëjtin nuk e ka pasqyruar si të hyrë nga kontributi në natyrë, në mallra dhe shërbime, por as si shpenzim nga qiraja”, thuhet në vendim.

    Pagesën e kësaj gjobe, partia që udhëhiqet nga Zëvendëskryeministrja dhe Kryediplomatja, Donika Gërvalla dhe Ministri Faton Peci, duhet ta paguajë brenda 30 ditësh.

    “Subjektit politik GUXO, i shqiptohet gjoba në vlerë katër mijë (4,000) euro për shkeljen e nënparagrafit 4, paragrafi 6 i nenit 21 të LFSP. Subjekti politik GUXO, obligohet që brenda tridhjetë (30) ditësh pas pranimit të këtij vendimi, të paguajë shumën e gjobës së shqiptuar sipas pikës 1 të këtij vendimi dhe të dorëzojë në Zyrë një kopje të fletëpagesës së gjobës së paguar.  Subjekti politik obligohet që në pasqyrat financiare për vitin 2024, të cilat dorëzohen jo më vonë se data 01.03.2025, t’i paraqes dëshmitë për shfrytëzimin e zyrave, që përfshinë selin qendrore dhe degët nëpër komuna, nëse kanë”, thuhet në vendim.

     

    Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar para një jave se si në pasqyrat financiare të audituara, të hyrat e subjektit politik që bashkëqeveris me vendin, partia Lista GUXO, janë zero. Në Raportin e Auditorit të pavarur për periudhën 1 janar 2023 – 31 dhjetor 2023, thuhet se mungon aktiviteti financiar i kësaj partie.

    Subjektet politike parlamentare, siç është edhe Lista GUXO, financohen edhe me para të shtetit, përmes Fondit për Demokratizim, duke i marrë disa miliona euro gjatë vitit, në bazë numrit të tyre të deputetëve në Kuvend. Gjatë vitit 2023 shteti i ka ndarë për partitë politike 4 milionë e 800 mijë euro. Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e Grupit Parlamentar e të cilit në Kuvendin e Kosovës është edhe Lista GUXO, i ka marrë 2 milionë e 800 mijë euro. Por, partia që drejtohet nga dy kryetarë, ministrat Peci e Gërvalla, e që ka edhe pesë deputetë në Kuvendin e Kosovës, për periudhën e audituar, auditorit i ka paraqitur zero qarkullim financiar. Kjo ka bërë që Auditori ta rangojë si partinë parlamentare me vlerësimin më të ulët, atë të “Mohim i Opinionit”.

    Reporteri.net raportoi se kjo parti është e pamundur të ketë zero qarkullim financiar, gjithashtu për faktin se është subjekt që ushtron aktivitet, pasi posedon zyra në Prishtinë dhe në komuna tjera.

    Sipas informatave të përgjithshme në raport, pasqyrat financiare të Listës GUXO janë përgatitur sipas kërkesave te Ligjit Nr. 04/L-212 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058, neni 15 Raportimi Financiar.

    “Bazuar në nenin 19 paragrafi 10 te Ligjit 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058 , Subjekti i regjistruar politik brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga marrja e rezultateve preliminare të kontrollimit mund ta dorëzojë raportin e rishikuar financiar dhe shpjegimin lidhur me çdo gabim të dukshëm ose lëshim të identifikuar nga auditorët”, thuhet në raport, por që nuk është paraqitur asnjë e dhënë financiare.

    Ndonëse partia posedon llogari aktive bankare në Bankën për Biznes (BPB) dhe ka zhvilluar aktivitetet e saj gjatë vitit, në pasqyrën e pozitës financiare, ku përfshihen pasuritë afatgjate dhe afatshkurtra, detyrimet afatgjate dhe afatshkurtra, në ditën e fundit të vitit 2023 janë të deklaruara 0 euro, raporton Gazeta Online Reporteri.net. Njëjtë ishin edhe më 31 dhjetor 2022

    Të njëjtat shifra janë edhe në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, ku nuk është deklaruar asnjë cent qarkullim.

    Lista GUXO nuk ka paraqitur as shpenzimet për pagat dhe kompensimet, për transport, reklama, reprezentacion e konferenca.

    Të dhëna financiare nuk ka as për donacionet dhe kontributet në të holla dhe kategoritë tjera ku partitë obligohen që të deklarojnë pasqyrën e financave.

    Pjesë e raportit është edhe adresimi drejtuar kryesisë së Listës Guxo, ku përfshihet mohimi i opinionit bashkë me bazat e tij.

    “Ne kemi audituar raportet financiare të bashkëngjitura të Subjektit Politik Partia GUXO (në vijimreferuar si “Subjekti Politik” apo “GUXO”), të përbëra nga Pasqyra e Pozitës Financiare me 31 Dhjetor 2023, Pasqyra e të Hyrave dhe Shpenzimeve për periudhën e përfunduar me këtë datë , dhe informacionin tjetër shpjegues të përfshira në fq. 8-12

    Ne nuk shprehim një opinion mbi raportet financiare të vitit 2023 të Subjektit Politik Partia GUXO. Për shkak të rëndësisë së çështjeve të përshkruara në paragrafin bazat për mohim të dhënies së opinionit, ne nuk kemi qenë në gjendje të sigurojmë evidencën e nevojshme të auditimit për të pasur një bazë për një opinion të auditimit”, thuhet në mohimin e opinionit në Raportin e Auditorit të pavarur.

    Në pjesën e bazave për mohim të opinionit, argumentohet mungesa e aktivitetit financiar për vitin 2023, përkundër faktit që Lista GUXO ka aktivitet të zhvilluar përgjatë 12 muajve.

    “Pasqyrat financiare nuk paraqesin asnjë aktivitet financiar për vitin e përfunduar me 31 Dhjetor 2023 përkundër faktit qe subjekti politik ka aktivitet të zhvilluar përgjatë vitit. Si auditorë, ne mbështetemi në të dhënat financiare për të vlerësuar drejtësinë e pasqyrave financiare, duke përfshirë plotësinë, saktësinë dhe pajtueshmërinë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Në këtë rast, mungesa e aktivitetit financiar na pengon nga kryerja e procedurave thelbësore të auditimit dhe i bën pasqyrat financiare të pavlefshme nga informacioni thelbësor i nevojshëm për një auditim”, thuhet më tej në raport.

    Kah po i çojnë paret?! Lista GUXO nuk e kalon testin e auditorit financiar, s’e deklaron asnjë cent për vitin 2023

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!