Anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ka ngritur dyshime për vrasjen e Faton Hajrizit. Berisha në rrjetin social Facebook ka publikuar dy fotografi të cilat sipas tij e vënë në dyshim vrasjen e Hajrizit.
Sipas tij, ka shumë kontradikta në deklaratat e zyrtarëve të Serbisë dhe dëshmitarëve.
Duke e komentuar videon ku mediat serbe pretendojnë së është Hajrizi, duke e marrë një biçikletë, ai ka thënë se veshja e personit në video ndryshon nga veshja e personit të vrarë, që pretendohet të jetë Faton Hajrizi.
“Deklaratat kontradiktore të zyrtarëve të Serbisë dhe dëshmitarëve për Faton Hajrizin, lën shumë dyshime rrethë të vërtetës për vrasjen e tij. Video që qarkullon se gjoja Fatoni është duke marrur një biciklet, i shton dyshimet edhe më shumë për arsye se personi që shihet në atë video ka veshje të sipërme me krahë të shkurtë për dalim nga personi që shihet i vrarë, veshja e të cilit ngjason me veshjen e një personi që është bashkë me policin serbe në disa inqizime amatore. Shih foton!”, ka shkruar Berisha.
Gjatë ditës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka ngritur dyshime nëse Faton Hajrizi është vrarë apo jo.
Haxhiu ka bërë thirrje që të ketë hetim të thellë për vrasjen e dyshuar të Faton Hajrizit, ndërsa u shpreh se hetim duhet të ketë edhe për aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, ka shkruar Haxhiu.