×
  • Lajme
  • Lajme / Përgjegjësi

    Shoqëria Civile kërkon dorëheqjen e bordit të RTK-së: Transmetuesi publik nuk funksionon më i pavarur

    Reporteri
    24 Korrik 2024 | 14:14

    Organizata joqeveritare dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë kërkuar dorëheqjen e bordit të Radio Televizionit të Kosovës për “mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre”, pas situatës së krijuar me publikimin e një artikulli të një portali boshnjak që i etiketon si të Serbisë disa media në Kosovë.

    Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi-IKD, Instituti Demokratik i Kosovës-KDI, Iniciativa për Progres-INPO, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR KS, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Demokraci PLUS- D+, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion-QIKA, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti Epik, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Imer Mushkolaj, Flutura Kusari, Agon Maliqi, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, Sbunker, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Instituti Demokraci për zhvillim – D4D thonë se RTK-ja e publikoi artikullin dezinformues për t’i sulmuar mediat, sipas qëllimit të Lëvizjes Vetëvendosje për denigrimin e gazetarëve.

    “Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave dhe aktivistëve.

    Organizatat dhe aktivistët shprehën shqetësimin me deklarimin e bordit të RTK-së, pas një mbledhje të mbajtur të martën. Bordi i përbërë nga Besnik Boletini, kryetar, dhe anëtarët Albulena Mehmeti, Arta Berisha, Safet Kabashaj, Fatime Lumi-Qehaja, Biroll Urcan, Dardan Beqiri dhe Radojica Mrdjinac, nuk mori asnjë masë dje.

    “Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të “keqardhjes” për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të “sqaruar situatën” duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si “kontravers” dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë”, thuhet në reagimin e ojq-ve dhe aktivistëve.

    Përtej ngjarjes së fundit, shoqëria civile dhe aktivistët thonë se “një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet”.

    “Këtu përfshihen detyrimi i ish drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj që të dorëhiqet dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, krijimi i një praktike të publikimit të informacioneve që shkelin standardet etike dhe ligjore siç ishte informacioni për dyshimet për atentate ndaj udhëheqësve të pushtetit, publikimi i videove të ndryshme që i ndihmojnë narratives qeveritare e deri tek lajmet si ky i fundit që për qëllim nuk e kanë informimin e publikut por bërjen e propagandës pro qeveritare”, thuhet në reagim.

    Organizatat dhe aktivistët që u bashkuan për këtë reagim, konsiderojnë se “bordi i RTK-së duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre”.

    “Njëkohësisht i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij”, thuhet në fund të reagimit.

    Një shkrim i portalit nga Sarajeva “Slobodna Bosna” për planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në rajon dhe gjoja kontrollin e dy portaleve kosovare nga pushteti i Vuçiqit, shkaktoi reagime të shumta nga gazetarët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, partitë opozitare dhe ekspertët e mediave.

    Transmetuesi publik ka publikuar të hënën në faqen online një shkrim të përkthyer nga gazeta boshnjake “Slobodna Bosna”, që bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, ku sulmohen dy mediume të Kosovës, duke u pretenduar se janë në kontroll të Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit. Bëhet fjalë për gazetën “Nacionale” dhe “Periskopin”. Ky shkrim është transmetuar edhe në formë mbulimi në edicionin qendror të lajmeve në RTK.

    Shkrimi i gazetës boshnjake i publikuar në RTK të hënën, është shpërndarë me të madhe nga disa deputetë të Vetëvendosjes.

    Në lajmin që u publikua në RTK reaguan edhe vetë gazetarët e redaktorët e RTK-së, duke u distancuar.

    Për këtë çështje, të martën është mbledhur Bordi i RTK-së. Pas mbledhjes, Bordi ka dalë me një reagim ku ka shprehur keqardhje për publikimin e artikullit.

    Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së RTK-së, Zana Spahiu, thuhet se ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional “për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.

    Artikullin që u publikua, Bordi e ka quajtur “kontraverz”.

    “Bordi i RTK-së e ka shqyrtuar me seriozitet publikimin e një artikulli kontraverz të hënën më 22 korrik 2024 në RTK, të marrë nga një medium boshnjak. Anëtarët e Bordit kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi këtë lëshim të qartë dhe kanë kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, thuhet në reagim. /Reporteri.net/

    Pushteti përdorë RTK’në për të sulmuar mediat, bordi paralajmëron “masa rigoroze”

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!