×
  • Lajme
  • Lajme / Dezinformata

    Pushteti përdorë RTK’në për të sulmuar mediat, bordi paralajmëron “masa rigoroze”

    Reporteri
    23 Korrik 2024 | 20:26

    Pushteti ka vazhduar sulmet ndaj mediave, këtë herë duke përdorur televizionin publik. RTK ka publikuar dje një shkrim nga një gazetë boshnjake, duke nisur kështu fushatë të rrezikshme akuzuese ndaj dy mediumeve në vend. Ky shkrim është shpërndare nga disa deputetë të Vetëvendosjes. Kësaj fushate i është bashkuar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar sot se për këtë “shkrim” e ka lajmëruar edhe Prokurorinë e Shtetit. Redaktorë e gazetarë të RTK janë distancuar nga ajo që ka ndodhur dje, derisa kjo fushatë është dënuar ashpër edhe nga opozita. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar disa herë sot ndaj deklarimeve të eksponentëve të pushtetit. Bordi i RTK’së ka shprehur keqardhje për këtë shkrim, derisa janë paralajmëruar “masa rigoroze”.

    Reporteri.net

    Transmetuesi publik ka publikuar dje në faqen online një shkrim të përkthyer nga gazeta boshnjake “Slobodna Bosna”, që bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, ku sulmohen dy mediume të Kosovës, duke u pretenduar se janë në kontroll të Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit. Bëhet fjalë për gazetën “Nacionale” dhe “Periskopin”. Ky shkrim është transmetuar edhe në formë mbulimi në edicionin qendror të lajmeve në RTK.

    Shkrimit të gazetës boshnjake i kanë bërë jehonë menjëherë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha dhe Salih Zyba, të cilët kanë drejtuar akuza të rënda ndaj dy mediumeve.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i alarmuar nga reagimet e dy deputetëve të VV’së.

    AGK-ja ka dënuar fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të Vetëvendosjes, që i targeton këto dy mediume dhe gazetarët që punojnë aty.

    “Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre. I bëjmë thirrje të përsëritur kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre”, thuhet në reagimin e mbrëmshëm të VV’së.

    Për shkrimin e gazetës boshnjake ka reaguar edhe anëtarja e Kryesisë së VV’së, Dejona Mihali.

    Asaj i ka penguar reagimi i AGK’së që u doli në mbrojtje gazetarëve.

    “Është e udhës që prokuroria dhe organet e specializuara t’i hetojnë këto pretendime. Madje çdokush pret që kjo çështje të zbardhet sa më parë. Asociacioni i gazetarëve do të ishte më mirë të tregonte profesionalizëm dhe të sugjeronte hetime për rastin që kolegët gazetarë boshnjakë kanë publikuar. Pra, nëse vërtetë Vuçiq dhe rrjeti i tij kriminal ka dorë brenda në Kosovë”, shkroi Mihali.

    Sulmeve ndaj mediave iu bashkua edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ajo tha sot para gazetarëve se e ka njoftuar prokurorinë për lajmin që publikoi dje RTK nga një gazetë boshnjake, duke shtuar se “është e rëndësishme se kush nga portalet financohet nga Serbia”

    “Siç e keni parë dje, në RTK Live është publikuar një hulumtim që ndërlidhet me tendencën e Serbisë për të blerë media në Ballkan. Në këtë rast përmenden dy portale, është Periskopi dhe Nacionalja që thuhet sipas hulumtimit që financohen nga Serbia, nga Qeveria e Serbisë. Kam ofruar para prokurorisë edhe këtë lajm që është publikuar nga RTK Live, sepse është e rëndësishme që të dijmë se kush nga portalet financohet nga Serbia”, tha Haxhiu.

    Asociacioni i Gazetarëve ka thënë se është i shokuar me deklaratat e Haxhiut për “dorëzimin e lajmit”, në Prokurori për akuzat ndaj dy portaleve kosovare.

    “AGK-ja, e fton zonjën Haxhiu që të përmbahet nga deklarata të tilla, dhe nga partia e saj të ndalë fushatën e rrezikshme akuzuese kundër gazetarëve”, thuhet në reagim.

    Bordi i RTK’së paralajmëron “masa rigoroze”

    Bordi i RTK’së është mbledhur sot për këtë çështje pas reagimeve të shumta. Pas mbledhjes, Bordi ka dalë me një reagim ku ka shprehur keqardhje për publikimin e artikullit.

    Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së RTK’së, Zana Spahiu, thuhet se ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional “për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.

    Artikullin që u publikua, Bordi e ka quajtur “kontraverz”.

    “Bordi i RTK-së e ka shqyrtuar me seriozitet publikimin e një artikulli kontraverz të hënën më 22 korrik 2024 në RTK, të marrë nga një medium boshnjak. Anëtarët e Bordit kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi këtë lëshim të qartë dhe kanë kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, thuhet në reagim.

    Redaktorë e gazetarë të RTK’së distancohen nga raportimi i djeshëm

    Redaktorja e lajmeve qendrore të RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi është e para nga punonjëset e mediumit publik që është distancuar nga sulmi i RTK-së ndaj portalit të Periskopit dhe Nacionales.

    Pas saj, edhe Redaktori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Enver Bajrami është distancuar dhe ka thënë se kundërshton çdo gjë joprofesionale.

    “Sikurse kam qenë pjesë e protestave të vitit 2015 për një RTK të publikut, vazhdoj edhe sot të kundërshtoj çdo gjë joprofesionale.

    Edhe Redaktori i magazinës së mbrëmjes “Lajmet e fundit” në RTK, Arton Mulliqi është distancuar nga kronika e RTK-së në edicionin qendror të lajmeve ndaj me anë të të cilës u sulmuan mediat “Periskopi” dhe “Nacionale”.

    “Duke vleresuar se kronika qe ishte transmetuar ne Lajmet Qendrore te RTK-se, e pasuar edhe nga nje lajm tjeter qe atakonte disa media dhe kolege ne Kosove, nuk i permbushe standardet profesionale , ne cilesine e pergjegjesit per magazinen e mbremjes “Lajmet e Fundit”, bashke me koleget e redaksise se mbremjes kemi vendosur qe te njejten te mos e transmetojme. Kaq kam mundur te beje, kaq kam bere!”, ka shkruar Mulliqi.

    Gazetarja Trendelina Ramadani është distancuar poashtu nga raportimi i RTK-së.

    Ajo ka thënë se është për “një gazetari pa nënshtrim e presion ndaj askujt dhe nga askush”.

    Njëjtë ka vepruar edhe gazetarja tjetër e RTK-së, Valmira Saraçi, e cila ka thënë se në gazetari duhet të ketë parime.

    “#Distancohem, jo për t’u bërë një numër më shumë, por për gazetari me parime! #RTK” – ka shkruar ajo.

    Gazetari Astrit Gashi, ka reaguar duke thënë se këto distancime po bëhen në liri, në një kohë kur në pushtet është një qeverisje kosovare.

    “Nëse e mbaj mend që nga vitet 1989/90, më nuk ka pas distancime kaq masive nga RTK, atehere RTP. Ne ate kohe gazetaret e stafi shqiptar nuk pranuan urdherat e Serbise prandaj edhe u larguan nga puna. Kete here se kemi Serbine, por e kemi shtetin tone andaj distancimi i sotem eshte i barasvlershem si veprim me largimin e atehershem! Ja ku arritem sot!”, shkroi Gashi në Facebook.

    Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se është krenar me kolegët gazetarë në Radio Televizionin e Kosovës, të cilët po distanciohen nga shkrimi dhe kronika e djeshme e televizionit, që sulmonte dy media në Kosovë, “Nacionale” dhe “Periskopi”, me pretendimin se kontrollohen dhe financiohen nga Serbia, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një reagim në Facebook, Kelmendi ka thënë se krenohet që gazetarët po distancohen nga trysnia e parapolitikës për ta shndërruar mediumin në mjet të propagandës.

    Tutje ai ka thënë se me kolegë si ta, ka shpresë se gazetaria në Kosovë do të mbijetojë në këtë periudhë të zymtë.

    Opozita dënon fushatën akuzuese të pushtetit ndaj mediave

    Sulmi ndaj mediave është dënuar edhe nga opozita. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka cilësuar si të dhimbshme dhe të frikshme tendencën

    “Tjetër ditë – tjetër sulm i Qeverisë dhe eksponentëve të saj ndaj mediave dhe gazetarëve. Demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku, prandaj duket se kësaj Qeverie nuk po i intereson as njëra dhe as tjetra. E dhimbshme me pa këtë tendencë të pushtetit me shtyp çdo fjalë dhe çdo mendim kundër. E frikshme!”, shkroi Çitaku.

    Deputeti nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se RTK është medium i Kosovës dhe ata të cilët po e keqpërdorin nuk i shërbejnë vendit.

    Ai ka thënë se disa herë e ka ngritur si çështje tendencën e partisë në pushtet për instrumentalizim të mediumit publik, duke shtuar se asgjë nuk mund të bëhet pa dijenin e kryeministrit, Albin Kurti.

    “E kam ngritur shumë herë në Komisionin për Buxhet mos profesionalizmin e Bordit të RTK-së dhe tendencën e partisë në pushtet për instrumentalizim të mediumit publik. Sot, mediat e tjera po sulmohen nga televizioni publik, për të cilin paguajmë mbi 8 milionë nga taksat tona. A mund të bëhen këto sulme pa u orkestruar nga partia në pushtet, ku nuk bëhet asgjë pa dijeninë e kreut të Qeverisë dhe kreut të partisë në pushtet?! “ – ka shkruar Hoti.

    Tutje, ai ka dalë në mbrojtje të Nacionales e Periskopit.

    “Përherë do të jemi në mbrojtje të fjalës së lirë. Këtë herë u etiketuan Nacionale.com dhe Periskopi, nesër mund të jenë të tjerë që thonë të vërteta që nuk i pëlqejnë partisë në pushtet.” – ka shkruar ndër të tjera.

    Kontrolluesi i certifikuar i fakteve rreth “Slobodna Bosna”: Prodhues të mëdhenj manipulimesh e dezinformatash me porosi

    “Janë prodhues të mëdhenj manipulimesh…s’do të thoja që janë liderë në prodhim të dezinformimit, por ama liderë në publikim të tyre, po”.

    Kështu e përshkruan Darko Brkan, drejtues i platformës së kontrollimit të fakteve (fact-checker) në Bosnje-Hercegovinë, “Raskrinkavanje”, portalin boshnjak “Slobodna Bosna” që publikoi një artikull kontrovers me anë të të cilit u sulmuan dy media kosovare.

    “Prodhojnë dezinformata…gjëra të paverifikuara…për senzacion…përmbajtje të dyshimtë për nga besueshmëria…thjesht çka t’u bjen në dorë për të mbijetuar”, tha ai për Nacionalen, i pyetur rreth “Slobodna Bosna”.

    “Vlerësimi im do të ishte që ata kryesisht do të kenë artikuj që janë të dyshimta sa i përket besueshmërisë, por më shumë është që duan senzacion duke përdorur burime të pakonfirmuara; dhe kopjojnë burime nga burime tjera, dhe kryesisht publikojnë senzacionalisht për klikime sa më shumë”.

    “Kjo është praktikë shumë e zakonshme në mesin e mediave të BeH-së ku marrin gjoja një burim për ta kinse të informuar dhe zakonisht njerëz të ndryshëm montojnë dezinformata të ndryshme. Dhe kjo është gjë krejt e zakontë për çështje të brendshme politike në Bosnje, thashetheme politike ose burime të paverifikuara e hiç kredibile dhe pa kurrëfarë dokumentimi botohen si storje ekskluzive. Shumë e zakonshme kjo këtu të bëhet. Slobodna Bosna nuk përjashtohet, e kanë bërë më herët si shumë media tjera”, tha Darko Brkan.

    Se një gjë e tillë mund të ketë qenë rasti me pushtetin politik në Kosovë që i dha jehonë raportimit të mediumit boshnjak, për Brkanin “nuk është aspak befausese”.

    “Kjo është edhe mënyra e zakonshme e vendosjes (montimit) dezinformimit. Ne këtu në rajon e kemi parë shpesh, ku aktorë politikë nga një vend, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë, e montojnë një copë informacioni në një vend tjetër dhe e shpërndajnë në vende të tyre…kështu duke e pretenduar pastaj atë lajm si kredibil sepse kur lajmi vjen nga një vend tjetër duket më kredibil se sa ta botosh në vendin tuaj”, tregon ai.

    “Slobona Bosna është prodhues i madh i manipulimeve të mediave të ndryshme, nuk do të thoja që është në majen e atyre që prodhojnë copët e tyre të dezinformimit por publikimi i dezinformatave është gjëja e tyre. Por, nuk është se i prodhojnë dezinformatat prej vete. Këtë e ke të sigurt. Nuk janë liderë të prodhimit të dezinformatave, por të publikimit të tyre, po”, përfundoi Brkan.

    Kontrolluesi i certifikuar i fakteve flet rreth “Slobodna Bosna”: Prodhues të mëdhenj manipulimesh e dezinformatash me porosi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!