Forcat e sigurisë në Venezuelë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj mijëra protestuesve që kanë kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve, shkruan BBC.
Mijëra njerëz ia kanë mësyrë kryeqytetit Caracas, disa prej tyre kanë ardhur nga zonat e varfra malore, me qëllim që të kundërshtojnë fitoren e Nicolas Maduros në këto zgjedhje.
Opozita ka kundërshtuar fitoren e vetëshpallur të Maduros, duke thënë se kandidati Edmundo Gonzalez ka fituar bindshëm me 73.2 për qind të votave.
Sondazhet para zgjedhjeve tregonin për fitore të qartë të sfiduesit të Maduros.
Partitë opozitare ishin bashkuar prapa kandidatit Gonzales në përpjekje për ta rrëzuar Maduron pas 11 vjetësh në pushtet. Gjatë mandatit të tij, Venezuela është përballur me krizë të thellë ekonomike.
Prezencë e madhe e ushtrisë dhe policisë ishte në rrugët e Caracasit me qëllim që të shtypej protesta dhe të parandalohej afrimi i protestuesve te pallati presidencial.
Turma e njerëzve ka bërë thirrje: “Liri, liri!” dhe ka kërkuar rrëzimin e qeverisë.
Qeveria venezuelase ka njoftuar për ndaljen e përkohshme të fluturimeve drejt Panamasë dhe Republikës Dominikane.
Në një fjalim në televizionin shtetëror, Maduro ka thënë se e ka për “obligim që t’ua them të vërtetën”.
“Ne jemi të obliguar që të themi të vërtetën, të ecim me durim, qetësi dhe forcë sepse jemi të familjarizuar me këtë film dhe e dimë se si të përballemi me këto situata dhe se si të mposhtim dhunën”, ka thënë Maduro.