Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ditën e djeshme organizoi koncertin “Faleminderit Mërgatë” në sheshin “Skenderbeu” me fillim nga ora 18:00 deri në ora 23:00, ku performuan disa nga emrat e mëdhenj të estradës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ministrja Donika Gërvalla në një moment u ngjit në skenë në rolin e “prezantueses” ku përmendi edhe medaljet e bronzta dhe të argjendtë që fituan Laura Fazliu dhe Distria Krasniqi në Lojërat Olimpike 2024 në Paris. E këtu ajo përmendi edhe Kryeministrin Kurti i cili edhe kishte qenë prezent në Paris për të ndjekur nga afër ndeshjet e sportistëve nga Kosova.
Madje, Ministrja Gërvalla nuk i kurseu edhe në këtë rast lëvdatat për të parin e Qeverisë, të cilin e quajti “Super Star”.
“Dhe tani më lejoni që meqenëse sot në Paris kemi marrë medaljen e bronztë, të urojmë nga ky shesh i stërmbushur, ta urojmë Laura Fazliun dhe Distria Krasniqin për medaljet e tyre. Dhe meqenëse dikush duhet të jetë në tribuna atje dhe t’iu bëjë tifozllekë një super-star i kësaj mbrëmje, nuk është e mundur që të jetë i pranishëm në mesin tonë, prandaj na ka dërguar një video me të cilën i përshënfdet të gjithë të pranishmit. Ju ftoj të dëgjojmë video-mesazhin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit”, tha Gërvalla.
Por, për dallim nga Kurti, ku në shumë prej deklaratave të saj e çon në qiell figurën e Kurtit, ajo përmendi edhe të parën e shtetit, Vjosa Osmanin, ama jo për ta lavdëruar.
Si një “prezantuese amatere”, Gërvalla përmendi performancën e këngës “Llafe-llafe” të Dafina Zeqirit, ku theksoi se është kënga e preferuar e Presidentes Osmani.
“Tani para se të kalojmë te këngëtari i ardhshëm, pasi kënduam, këndoi Dafina këngën e preferuar të presidentes “Llafe-llafe”, dëgjuam kryeministrin me mesazhin e tij, tani më mbetet të falendroj nga zemra të gjitha ata që kanë kontribuar për këtë festë madhështore”, tha Gërvalla në koncertin e mbrëmshëm.
/Reporteri.net/