×
  • Lajme
  • Botë

    Afera e spiunazhit ‘Pegasus’, të dhënat e themeluesit të “Telegram” gjinden të rrjedhura në softuerin izraelit

    Reporteri
    21 Korrik 2021 | 16:01
    Telegram - Pavel Durov - Projekti Pegasus - Reporteri

    Edhe themeluesi i aplikacionit ‘Telegram’, del të jetë pjesë e listës së njerëzve që mund të jenë përgjuar me aplikacionin “Pegasus”


    Në mesin e njerëzve, numri i të cilëve shfaqet në një listë individesh të zgjedhur nga qeveritë kliente të Grupit NSO, qëndron edhe emri i miliarderit engimatik të lindur në Rusi, Pavel Durov, i cili ka ndërtuar reputacionin e tij në krijimin e një aplikacioni të padëmshëm për mesazhe.

    36-vjeçari Durov, i cili është themelues i ‘Telegram’, pretendon se ka më shumë se gjysmë miliard përdorues në aplikacionin e tij, shkruan The Guardian, transmeton në shqip Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    ‘Telegram’ ofron mesazhe të koduara nga fundi në fund dhe përdoruesit gjithashtu mund të vendosin ‘kanale’ për shpërndarjen e shpejtë të informacionit tek ndjekësit.

    Ky aplikacion ka gjetur popullaritet në mesin e njerëzve të cilët dëshirojnë t’i shmangen syve përgjues të Qeverive, qofshin ata kriminelë, terroristë apo protestues që luftojnë me regjimet autoritare.

    Në vitet e fundit, Durov ka hedhur poshtë standardet e sigurisë së konkurrentëve, veçanërisht të ‘Whatsapp’, për të cilin ai ka pretenduar se është ‘i rrezikshëm’ për t’u përdorur.

    Në anën tjetër, ai e ka pozicionuar ‘Telegram’, si një aplikacionin i cili është i vendosur që me çdo kusht të ruaj privatësinë e përdoruesve të tij me çdo kusht.

    Pa një ekzaminim të telefonit të Durov, nuk është e mundur të dihet nëse ka pasur ndonjë përpjekje për të instaluar softuer ‘malëare’ në pajisje, shkruan The Guardian, e përditshmja britanike që po vazhdon të publikojë aferën e spiunazhit ‘Pegasus Project’.

    Një burim i NSO ka bërë të ditur se Durov nuk ishte një shënjestër, që nënkupton se burimi mohon se ai ishte zgjedhur për mbikëqyrje duke përdorur projektin e NSO, Pegasus.

    Kompania këmbëngul se fakti që një numër u shfaq në listë, nuk ishte në asnjë mënyrë tregues se ai numër ishte zgjedhur për mbikëqyrje duke përdorur Pegasus, përcjellë në shqip Reporteri.net.

    Zëdhënësi i NSO, nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse telefoni i Durov ishte shënjestër e Pegasus, teksa tha se çdo pretendim se një emër në listë lidhet domosdoshmërisht me një shënjestër të projektit ose një objektiv të caktuar, është i gabuar dhe i rremë.

    Avokatët e NSO thanë që vendimi i tij për të mos iu përgjigjur pretendimeve të caktuara nuk duhet të trajtohet si konfirmim i atyre pretendimeve.

    Por lista, në të cilën The Guardian dhe medie të tjera kishin qasje si pjesë e projektit Pegasus, një bashkëpunim ndërkombëtar, siç shkruan Reporteri.net, besohet të jetë tregues i individëve të identifikuar si persona me interes nga klientët qeveritarë të NSO.

    Ajo përfshin njerëz të cilët më vonë u vunë në shënjestër për mbikëqyrje, sipas analizës mjeko-ligjore të telefonave të tyre.

    Numri i Durov, i cili shfaqet në listë në fillim të vitit 2018, ishte numri i celularit në Mbretërinë e Bashkuar i cili ka qenë i lidhur me llogarinë e tij personale në Telegram për vite me radhë.

    As Durov, i cili është i apasionuar pas reklamave dhe as zyra për shtyp e ‘Telegram’, nuk iu përgjigjën kërkesës për të komentuar mbi këtë çështje.

    Lista e qeverive dhe shërbimeve të inteligjencës që mund të jenë të lumtur të shohin përmbajtjen e telefonit celular të Durov është e gjatë.

    Durov u largua nga Rusia në 2013 dhe ka pasur disa konflikte me shërbimet e sigurisë së vendit.

    Telegram gjithashtu ka luajtur një rol kryesor në drejtimin e lëvizjeve protestuese në Bjellorusi, Hong Kong dhe Iran.

    A u përgjuan kosovarët me “Pegasus”? Flasin zyrtarët qeveritarë e njohësit e teknologjisë në Kosovë

    Sidoqoftë, analiza e listës së rrjedhur sugjeron që Durov mund të ketë qenë me interes për Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Durov bën shumë rrallë deklarata publike përmes llogarisë së tij në ‘Telegram’ dhe zakonisht ofron vetëm këshilla idiosinkretike për mënyrën e jetesës.

    “Gjithmonë jetoni vetëm dhe mbani një dietë detare me peshq të egër dhe asgjë tjetër”, është një nga këshillat e Durov, i cili ndër të tjera lartëson virtytet e aplikacionit të tij.
    “Projekti Pegasus” është një hetim bashkëpunues gazetaresk ndaj NSO Group dhe klientëve të tij.

    Kompania shet teknologji të mbikëqyrjes së Qeverive në të gjithë botën. Produkti i tij kryesor është Pegasus, softuer spiunimi që për synim ka iPhone dhe pajisjet Android.
    Hulumtimi është bërë nga 17 organizata globale të lajmeve – përfshirë “The Guardian” dhe “The Washington Post” – të cilët kanë bashkuar përpjekjet e tyre në një konsorcium të quajtur projekti Pegasus.

    VËMENDJE: Pjesë nga afera e spiunazhit ‘Pegasus’, të përkthyera në shqip nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, mund t’i gjeni KËTU…

    /Përktheu dhe përshtati në shqip: Arlinda Rrmoku – Reporteri.net/.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron në mesin e 14 liderëve botërorë që mund të jenë përgjuar me aplikacionin “Pegasus”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!