×
  • Lajme
  • Lajme

    A u përgjuan kosovarët me “Pegasus”? Flasin zyrtarët qeveritarë e njohësit e teknologjisë në Kosovë

    Reporteri
    20 Korrik 2021 | 20:32
    Projekti Pegasus - Pergjimet Kosove - Reporteri

    Autor: Mirlind Behluli


    Ka disa ditë që mediet ndërkombëtare kanë shkruar për përgjimet që Pegasus, aplikacion i përgjimit i krijuar nga kompania izraelite “NSO Group”, ka bërë ndër vite. Sipas hulumtimit të “The Washington Post”, “The Guardian” etj., kjo kompani u ka ofruar këtë aplikacion shteteve si India, Hungaria, Arabia Saudite e Azerbejxhani, e të cilët e shfrytëzuan atë për të përgjuar politikanët opozitarë, aktivistët politikë, biznesmenët e qytetarë të tjerë. Por, ende nuk ka ndonjë informacion nëse ky sistem i përgjimit i krijuar nga kompania izraelite është përdorur në Kosovë.


    Kujtim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, i tha Gazetës “Reporteri.net”, se nuk kanë ndonjë informacion nëse ndokush në Kosovë është përgjuar nga aplikacioni i kompanisë izraelite.

    “Duhet parë se çka ka të vërtetë dhe sa dimë për të. Nuk kem ndonjë informacion konkret ngase sistemet qeveritare nuk janë atakuar ndonjëherë. Ndërsa për sistemet telefonike e mobile që mund të atakohen, qytetarët ose individë të caktuar pavarësisht pozite, do duhej komunikuar me Policinë për krime kibernetike ngase ata janë kompetent për këtë çështje”, tha Gashi për Reporteri.net.

    Ndërkaq, Hekuran Sylejmani, ekspert i marketingut digjital, komentoi projektin Pegasus duke thënë se përgjimet e bëra nëpërmjet këtij aplikacioni nuk lënë gjurmë.

    “Për dallim prej phishing (peshkim i të dhënave) të zakonshëm ky aplikacion dallon për shkak së është i fshehur prapa një vector (vektori) e që mund të jetë një logo apo thjeshtë një fotografi. Aplikacioni afekton telefonat e mençur (smartphones), ku krijon akses në të gjitha të dhënat e telefonit pa lënë gjurmë, duke perfshirë email, mesazhet, fotogaleritë etj. Të atakuar janë dy sistemet operative kryesore: IOS dhe Android”, tha Sylejmani për Reporteri.net.

    Hekuran Sylejmani
    Hekuran Sylejmani, ekspert i Marketingut Digjital

    Tutje, Sylejmani tregon se hulumtimeve e mediave ndërkombëtare dhe agjencive tjera botërore tregojnë se deri më tani janë raportuar mbi 50 mijë telefona të infektuar, kryesisht të zyrtarëve të lartë shtetëror, biznesmen dhe persona tjerë me influencë në shtete si India, Meksika, Maroku, Kazakistan, Azerbajxhani, etj..

    Tutje, Hekuran Sylejmani ka treguar edhe mënyrën se si të verifikohet nëse telefoni personal është përgjuar.

    “Pas shpërthimit të skandalit nga gazetarët investigativ të The Washington Post dhe Guardian, kompania TechCrunch ka dal me një aplikacion (MVT – Mobile Verification Toolkit) me të cilin mund të verifikohet telefoni i juaj se a është i infektuar. (https://github.com/mvt-project/mvt)”.

    “Në vendin tonë ende nuk ka raportime për infektime të tilla por është e rëndësishme që secili zyrtar shtetëror me influencë të kontrolloj telefonin e vetë për një infektim të mundshëm”, shtoi Sylejmani në bisedën për Reporteri.net.

    Rreth kësaj që po konsiderohet si aferë spiunazhi, sot gjatë ditës Edward Snowden, sinjalizues që jeton në Rusi, në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, deklaroi se nuk ka asnjë telefon të sigurt nga hakerët e sponsorizuar nga shteti.

    Snowden, që dikur punonte për agjencitë e spiunazhit amerikanë, theksoi se duhet një moratorium global në tregtinë ndërkombëtare kibernetike.

    Pegasus po dyshohet se është aplikacion përgjimi i krijuar nga kompania “NSO Group” me seli në Izrael, i cili program infekton telefonat mobil iPhone dhe Android duke ofruar qasje në mesazhet, fotografitë, e-mailet e në mikrofonin e pajisjes.

    Pegasus, sipas një hulumtimi, është krijuar si nismë për t’i mundësuar qeverive anë kënd botës të mbikëqyrin, përgjojnë dhe ndjekin terroristët dhe kriminelët.

    Afera e spiunazhit “Pegasus”, a janë të sigurt nga përgjimi telefonat “iPhone”?

    “Projekti Pegasus”, siç u quajt nga mediet që hulumtuan programin përgjues të “NSO Group”, është një hetim bashkëpunues gazetaresk në nivel ndërkombëtar ndaj NSO Group dhe klientëve të tij si India, Hungaria, Arabia Saudite, Maroko e Azerbejxhani.

    Deri më tani lista e numrave të përgjuar nga Pegasus ka arritur shifrën e mbi 50 mijë numrave.

    Gjithë këtë aferë të spiunazhit kibernetike e kanë zbuluar 17 organizata mediale përfshirë gazetat e famshme si “The Guardian” dhe “The Washington Post”.

    VËMENDJE: Pjesë nga afera e spiunazhit ‘Pegasues’, të përkthyera në shqip nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, mund t’i gjeni KËTU…

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!